fbpx

Shkumbin Mehmeti: Shteti po më kërcënon të tërhiqem nga dëshmitë

Shkumbin Mehmeti: Shteti po më kërcënon të tërhiqem nga dëshmitë

Dëshmitari i mbrojtur, Shkumbin Mehmeti, ka thënë se shteti i Kosovës po e kërcënon atë dhe familjen e tij, me një qëllim: që të heq dorë nga dëshmitë për disa raste të vrasjeve që kanë ndodhur paslufte në Kosovë.

Pasi Shërbimi Korrektues i Kosovës e lejoi transportin e tij dhe të akuzuarit për vrasje, Bedri Krasniqit, në të njëjtin automjet të enjten, dëshmitari Mehmeti u kërcënua nga Krasniqi gjatë transportit nga burgu për në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Dëshmitari Mehmeti i ka thënë Insajderit nëpërmjet avokatit të tij se futja në një automjet më Bedri Krasniqin është mesazh i qëllimshëm nga shteti për ta detyruar të tërhiqet nga dëshmitë e tij.

“Këtë e kuptoj si diçka të planifikuar dhe mesazh nga shteti që të tërhiqem nga dëshmitë”, ka thënë Mehmeti, raporton Insajderi.

Siç raportoi sot Insajderi, gjatë transportit për në Gjykatë, dëshmitari Mehmeti është kërcënuar nga Bedri Krasniqi, i dënuar me 27 vjet burgim për vrasjen e dy policëve: Sabahate Tolaj dhe Jusuf Haklaj, i dënuar për rrëmbimin e biznesmenit Azem Morina, si dhe i akuzuar për vrasjen e dy policëve të tjerë më 2004.

Krasniqi i ka thënë Mehmetit se “e di ku e ke familjen dhe e di adresën”, si dhe ka shtuar: “Nëse vazhdon të dëshmosh do të kesh pasoja”.

Në momentin që dëshmitari është futur në Gjykatë, ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të shtyhet dhe të definohet statusi i tij; nëse është dëshmitar, apo në çfarë cilësie ishte ftuar.

Dëshmitari Mehmeti, në Gjykatë, ka deklaruar se gjithmonë gjatë transportit të tij nga burgu në spital apo në vende të tjera, i është veshur jelek anti-plumb. Ndërkaq, sot kur është futur në mjetin transportues me Bedri Krasniqin, atij nuk i kishin veshur jelek anti-plumb.

Mehmeti është ndjerë i kërcënuar dhe seriozisht i rrezikuar, sepse shteti e ka ekspozuar para një rreziku të lartë.

Insajderi mëson se Bujar Qadraku ka qenë shef i ndërrimit që ka organizuar transportin e dëshmitarit Mehmeti dhe Bedri Krasniqit në një automjet.

Transportimin e Mehmetit dhe Krasniqit me një automjet, e ka konfirmuar për Insajderin edhe Besian Syla, avokati i dëshmitarit të mbrojtur, Shkumbin Mehmeti.

Ai ka thënë se transporti i të dyve është bërë me të njëjtin automjet dhe se klienti i tij është ndjerë i kërcënuar shkaku i këtij fakti. /Insajderi.com

Lexoni lajmin e plotë:

Skandaloze: Shteti ekspozon para rrezikut dëshmitarin e mbrojtur, Shkumbin Mehmeti