Pas kërkesës për dorëheqje reagon Selmanaj: Puna e opozitës është të luajë rolin e zhurmuesit

Pas kërkesës për dorëheqje reagon Selmanaj: Puna e opozitës është të luajë rolin e zhurmuesit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj kërkesës së politikanëve të opozitës për dorëheqjen e tij, transmeton Insajderi.

Selmanaj ka thënë se nuk e ka ndërmend t’ia plotësojë një kërkesë të tillë atyre, duke shtuar se ka shumë punë para vetës.

Ai për klankosova ka thënë se puna e opozitës është që të luajë rolin e zhurmuesit dhe se ajo këtë po e bën.

“Këtë punë e ka opozita. Të luajë rolin e zhurmuesit. Po punojmë, kemi shumë punë para vetes për të mirën e vendit”, tha shkurt Selmanaj.

Ndërkaq, në një shkrim në Facebook ai ka thënë se deklaratat e tij nënkuptonin që se temat e tilla të ndjeshme po përdoren për qëllime të ulëta politike dhe se kush thotë të kundërtën – e thotë të pavërtetën.

“Deklarata ime e mbrëmshme është thënë vetëm dhe vetëm në këtë kontekst: MJAFT më se jemi lodhur me përdorimin e temave tepër të ndjeshme për qëllime tejet të ulëta politike. Kushdo që provon që me tema të tilla të ndërtojë kauzë politike kundër kundërshtarëve politikë, apo të provojë që mbi to të ndërtojë karrierë politike është TURP, TURP që as toka nuk mund ta mbajë. Kemi obligim kombëtar dhe shtetëror që temat e tilla si kjo e të pagjeturve t’i trajtojmë me dinjitetin dhe ndjeshmërinë më të lartë njerëzore dhe shtetërore”, ka shkruar Selmanaj. /Insajderi.com