Pas lajmit nga Serbia që Sierra Leona ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës – reagon kryeministrit Kurti

Pas lajmit nga Serbia që Sierra Leona ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës – reagon kryeministrit Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ashpër pas lajmit se shteti i Sierra Leonës e ka tërhequr njohjen e Kosovës, krejt kjo për shkak të fushatës nga ana e Serbisë, shkruan Insajderi. 

Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë thirrje që Serbia ta ndalë ofensivën dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj.

Sipas Kurtit, kërkesës së tij për heqje të pjesshme të tarifës Serbia po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës.

Mes tjerash, ai bëri me dije se do të kërkojë nga ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës.

“Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet”, ka shkruar Kurti.

Shkrimi i plotë i Kurtit.

Vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës në lëndën e parë që importohet nga Serbia, në mënyrë që të krijohen kushtet për rifillim të dialogut dhe të ndërtimit të marrëdhënieve konstruktive të bashkëpunimit, qeveria serbe po i pergjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës.

I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës.

Ne kemi treguar qartë se e kemi vullnetin për marrëdhënie korrekte e normale me Serbinë. Mirëpo nuk mund të lejojmë që ky vullnet i yni të nëpërkëmbet.

Si kryeministër i Kosovës do të shqyrtoj me kujdes situatën e krijuar dhe do të veproj konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj.