Policia e Kosovës ka konfirmuar se është arrestuar në Belgjikë një burrë i dyshuar për vrasje.
Ermal Kamberaj (24-vjeç) u vra në vend të punës, në lokalin “Check In” në Mitrovicë, në maj të vitit të kaluar.
Zyrtari për media në Policinë e Kosovës, Bajram Kelmendi, ka konfirmuar se i dyshuari me inicialet S.B. është arrestuar në Bruksel. Ai ishte i shpallur nga drejtësia kosovare si person në kërkim për vrasjen e E.K në Mitrovicë.
“Autoritetet policore të Republikës së Kosovës janë njoftuar nga autoritetet belge, se është arrestuar në Bruksel (S. B.), person i shpallur në kërkim nga drejtësia kosovare për vrasjen e (E. K.) në Mitrovicë”, ka thënë Kelmendi.
Ai shton se Policia e Kosovës përmes një bashkëpunimi profesional, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet belge lidhur me rastin dhe pas shkëmbimit intensiv të informacioneve ka rezultuar me arrestimin e tij, për të vazhduar me procedura të tjera.