Shala: Taksa 100 për qind nuk hiqet

Shala: Taksa 100 për qind nuk hiqet

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk do të hiqet, pavarësisht presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e kësaj takse.

Shala ka thënë për Insajderin se Ministria e Tregtisë e mbështet qëndrimin e kryeministrit Haradinaj për mbetjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

“Qeveria e Kosovës merr përgjegjësi per vendimet e veta. Ngjashëm si per taksen, ne e mbështesim kryeministrin Haradinaj për çfarëdo vendimi që ka marrë Qeveria e Kosovës”, ka thënë ministri Shala të enjten, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi.

Për të parë videon, klikoni këtu: VIDEO

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj gjatë vizitës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) të mërkurën deklaroi se taksa nuk ka të bëjë me Amerikën, por me Serbinë dhe Rusinë.

“Sot e heqim nëse ka marrëveshje për njohje, por jo në shkurt, por mund të mos e heqim asnjëherë nëse Serbia s’është e gatshme me na njoft. Kjo s’ka të bëjë me Amerikën ka të bëjë me Rusinë e Serbinë”, u shpreh Haradinaj.

SHBA i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që menjëherë të hiqet taksa në të kundërtën ajo nuk do të përkrahë FSK-në në ngritjen e kapaciteteve, por mbështetja do të zvogëlohej edhe në sferat e tjera. /Insajderi.com