Kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim që t’i vë sanksione Kompanisë “Sabalan Company – Iran” e cila ndodhet në listën e zezë të OKB-së dhe BE-së – vendimi ka ardhur vetëm pas raportimit të Insajderit.
Më 20 shkurt 2020, Gazeta Hulmutese Insajderi, ka raportuar se si Dogana e Kosovës ka ndaluar në fillim të po atij muaji dy kamionë me vajra që vinin nga Irani në Kosovë, pasi që kompania importuese iraniane ishte në listën e zezë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.
Vetëm pas këtij raportimi qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka vendosur t’i vë sanksione kësaj kompanie edhe për vendin tonë.
“Në listën e sanksioneve të OKB-së e BE-së ndodhet një kompani e cila ka eksportuar drejt vendit tonë dhe ku tash e tri javë po mbahet në Doganën e Kosovës. Kompanisë “Sabalan Company – Iran” e cila figuron si entitet nën sanksione si kompani mbulesë e “Shahid Hemat Industrial Group – SHIG”, me vendim unanim të Qeverisë së Republikës së Kosovës iu vendosen sanksione edhe për vendin tonë”, ka shkruar sot Kurti në profilin e tij në Instagram.
Vendimi u mor dje në mbledhjen e qeverisë pas propozimit të Glauk Konjufcës, ministrit të Jashtëm.
“Ministri i Punëve të Jashtëm ka propozuar zbatimin e sanksioneve ndërkombëtar nga OKB dhe BE lidhur me kompanitë “Sabalan” Iran në bashkë veprim me kompaninë Shahid Hemmat Industrial Group (SHIG), të cilat figuroj në listën e sanksioneve nga BE dhe OKB”, tha dje Konjufca gjatë mbledhjes.
“Obligohet doganën e Kosovës ta ndaloj importin dhe ta kthej mallin e kompanive tek eksportuesi i huaj”.
Konjufca merr vendim për kompaninë që u ndalua nga dogana e që ndodhet në listën e zezë të ShBA-së