fbpx

Pas raportimit të Insajderit, Peci shpreh keqardhje për takimin e dyshimtë

Pas raportimit të Insajderit, Peci shpreh keqardhje për takimin e dyshimtë

Pas raportimit të Insajderit, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka shprehur keqardhje për takimin e tij me një bandit bomash dhe vëllain e një krimineli të akuzuar.

Në reagimin për shkrimin e Insajderit, Peci ka thënë se “po të ishte në dijeni për të kaluerën e tyre, nuk do të ndodhte takimi”.

“Sidoqoftë, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, shpreh keqardhjen e tij për këtë takim, pasi, padyshim, që nëse do të ishte në dijeni të së kaluarës së personave në fjalë, një takim i tillë, nuk do të realizohej, në asnjë rrethanë”, thuhet në reagimin e Gjykatës Supreme.

Ekskluzive: Takimi i kryetarit të Supremes me një bandit bombash dhe vëllain e një krimineli të akuzuar

Reagimi i tyre vazhdon me kritikë ndaj shkrimit të Insajderit. E quajtën shkrim tendencioz.

Insajderi, ka raportuar Enver Peci ka pritur sot në zyrën e tij dy persona të dyshuar. Gent Qamilin i akuzuar për “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “posedim të paautorizuar të armëve” dhe Xhevat Bunjaku, vëllai i të Fatmir Bunjaklut i dyshuar për falsifikim të parave.

Është sjellur edhe historia e Gent Qamilit – i shpërblyer me dekorim nga kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Historia me bombë e njeriut që u nderua nga kryetari i Gjykatës Supreme

Prokuroria Themelore në Gjilan në vitin 2014, kishte ngritur akatakuzë kundër Gent Qamilit dhe Princvalentino Corleone, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, Gent Qamili dhe Princvalentino Corleone në tualetin e diskotekës “Stop”, të dy me dashje dhe në bashkëveprim, kanë tentuar të shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve, shkruan Gazeta Insajderi.

“I pandehuri Corleone, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin Gent Qamili, të njëjtit ia jep një çantë në të cilën gjendej një granatë dore e tipit “A1”, me ndezës dhe siguresë, dhe i jep instruksione që ta vendos në lokalin e diskotekës “Stop”, duke i premtuar kundër shpërblim shumën e të hollave prej 300 eurove, ia jep për ta blerë kartelën e telefonit. I pandehuri Gent Qamili e merr mjetin eksplodues nga i pandehuri Corleone, dhe e vendos në tualetin e diskotekës “Stop”, vend ku kanë qenë të pranishëm numër i madh i njerëzve. Gent Qamili me numrin e telefonit e thërret policinë dhe i lajmëron se në diskotekën “Stop” ka bombë”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Sipas aktakuzës Gent Qamili ka thënë se është e vërtetë se më 28 korrik 2013 3 kishte thirr në telefon Corleone ku edhe ka shkuar në shtëpinë e tij në lagjen “Dardania”.

Corleone kishte kërkuar nga Gent Qamili që në diskotekën “Stop” në Gjilan të shkon dhe ta ndërpres rrymën. Arsyeja e vetme që kërkonte nga unë që ta ndërpres rrymën ishte që të prishet mbrëmja në diskotekën “Stop” me që Corlone kishte organizuar të njëjtën ditë një party në diskotekën “Meteor Club” dhe qëllimi i tij ka qenë që të gjithë mysafirët e “Stopit” të vijnë në “Meteor Club” ka rrëfyer Qamili.

Ky i pandehur më vonë thotë se qëllimi i Valit nuk ka qenë që të rrezikohen njerëzit, por vetëm që të krijohet panik dhe të ikin mysafirët nga “Stopi” e të shkojnë në “Meteor Club”.

Kurse Corleone ka thënë se Gent Qamilin nuk e njeh fare dhe nuk e ka pranuar faktin se ka porositur të pandehurin Gent Qamili për të vendosur një çantë në të cilën ndodhej një bombë.

Përmes një postimi në llogarinë e Gent Qamilit i cili është i akuzuar për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “posedim të paautorizuar të armëve”, kishte shkruar se ka takuar kryetarin Peci me ç’rast i ka uruar punë të mbarë, shëndet dhe suksese, shkruan Gazeta Insajderi.

“Sot bashkë me Z.Xhevat Bunjaku në takim me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës Z.Enver Peci, Kreytarit Peci i urojmë punë të mbarë, shëndet e suksese!”, ka shkruar Qamili në llogarinë e tij në Facebook. /Insajderi.com