Pas raportimit të Insajderit, VV reagon për rastin e mikut të Enver Hoxhajt

Pas raportimit të Insajderit, VV reagon për rastin e mikut të Enver Hoxhajt

Vetëvendosje ka reaguar sot për rastin e Imer Shahinit, mikut të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili u arrestua të martën në Prishtinë pasi akuzohet nga Prokuroria e Distriktit të Nju Jorkut për përfshirje në një mashtrim milionësh.

Vetëvendosje përmendi edhe tenderin prej 1.5 milionë eurosh që Imer Shahini, vëllai i gruas së Enver Hoxhajt, kishte fituar nga Ministria e Shëndetësisë para disa vitesh kur edhe ishte në kërkim nga FBI-ja amerikane.

Jusuf Ulaj, drejtues i Komitetit për Shëndetësi në Lëvizjen Vetëvendosje, deklaroi se faktet dhe nënshkrimet që e përfshijnë Imer Shahinin dhe zyrtarët qeveritarë në këto tenderë nuk mund të mohohen.

“Zoti Hoxha ishte shumë i ngutshëm dhe menjëherë ka bërë një postim publik ku neve na fajësoi për shpifje e na quajti edhe fashistë politik. Faktet dhe kontratat janë dokumente që nuk mund të mohohen. Ai vet e ka nënshkruar kontratën prej 1.5 milionë euro për Sistemin Informativ Shëndetësor. Shahini është në mesin e 7 personave të kërkuar për mashtrim. Ai është arrestuar me kërkesë të FBI. Ky vendim është marrë nga gjykata amerikane”, tha Ulaj në një konferencë për shtyp të premtën.

Siç raportoi Insajderi të enjtën, kompania “Piritpek” – drejtues i së cilës figuron Imer Shahini – kishte fituar tender për sistemin informativ shëndetësor disa vite më parë, vlera e të cilit ishte 1.5 milionë euro. Imer Shahini kishte pasur takime të shpeshta edhe me ministrin e Shëndetësisë së asaj kohe, Ferid Agani.

Agani kishte qenë në dijeni të plotë se Shahini është i afërm i ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhajt, por thoshte se në tender nuk kishte pasur asnjë ndikim lidhja e tij familjare.

Tenderi që kishte fituar kompania e Shahinit nuk kishte qenë e aftë për të kryer punimet brenda kohe. I nervozuar me situatën për ndërtimin e sistemit informativ në shëndetësi, kryetari i FSSHK-së Blerim Syla thoshte se kompania që e përfaqësonte Shahini është vetëm për t’i vjedhur paratë.

Dalin para Gjykatës dy kosovarët e kërkuar nga SHBA-të