Pas reshjeve të borës, policia apelon për kujdes

Pas reshjeve të borës, policia apelon për kujdes

Reshjet e borës janë regjistruar edhe në zonat e ulëta në Kosovë, përfshirë edhe kryeqytetin Prishtinë. Gjatë natës, Prishtina është zbardhur nga bora në atë që është edhe fundjava e parë e vitit 2019 me mot të ftohtë.

Meteorologët kosovarë thonë se një turbullirë me masa të ftohta ajri do të kalojë mbi rajon gjatë fundjavës ç’ka do të sjellë mot të ftohtë, me vranësira dhe reshje bore edhe në zonat e ulëta. Ndërsa në zonat malore, intensiteti i reshjeve do të jetë mesatar.

Bora sipas meteorologëve kosovarë do të jetë e pranishme edhe në perëndim të vendit, në rrafshin e Dukagjinit, pavarësisht mundësive më të pakëta atje. Ndërsa javën e ardhshme, fusha e presionit të lartë nga Evropa qëndrore do të sjellë kthjellime pavarësisht se temperaturat do të bien nën vlerat mesatare.

E gjendur përballë reshjeve të borës në vend, policia e Kosovës ka paralajmëruar drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes, sidomos gjatë orëve të para të mëngjesit apo gjatë natës. “Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor”, thuhet në apelin e policisë.