Pasi rriti pagën e vet, kryeministri premton rritje të pagave për punëtorët e KEK-ut

Pasi rriti pagën e vet, kryeministri premton rritje të pagave për punëtorët e KEK-ut

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndryshimin e pagës së kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zyrtarëve tjerë qeveritarë. Kështu, me këtë vendim, paga mujore e kryeministrit do të jetë 2,950 euro.

E pas rritjes së pagës së vetvetes dhe zëvendësministrave në Qeverinë e tij, Haradinaj premtoi sot se do t’i rrisë edhe pagat e një institucioni publik.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) mund të përfitojë nga një vendim për rritje të pagave, për të cilin kryeministri ka premtuar sot se do ta ndërmarr në muajt e ardhshëm.

Gjatë një vizite të realizuar sot në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Haradinaj ka thënë për gazetarët se do të rriten pagat e punëtorëve të këtij institucioni.

I pyetur për rritjen e pagave në KEK, Haradinaj tha: “Po, e kemi paraparë rritjen e pagave”.

Haradinaj po ashtu premtoi se nuk do të ketë shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë. /Insajderi.com