Pas shpërthimit në Ferizaj, Kurti u bën thirrje autoriteteve për inspektimin e lokaleve

Pas shpërthimit në Ferizaj, Kurti u bën thirrje autoriteteve për inspektimin e lokaleve

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Ferizaj, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti tha se pas një shpërthimi që ndodhi në kryeqytet një javë më parë pikërisht nga bombola e gazit, një lajm tjetër i ngjashëm vjen nga Ferizaj.

Kreu i LVV-së thotë se dy shpërthime për një kohë kaq të shkurtër janë alarm për autoritetet lokale dhe qendrore për t’u vënë në krye të detyrës në inspektimin e lokaleve.

Një javë pas shpërthimit të bombolës së gazit në rrugën Prishtinë-Ferizaj, afër një lagjeje private ku mbetën 12 të lënduar, sot morëm lajmin tragjik për shpërthimin e një bombole të ngjashme në Ferizaj, prej ku 15 dërguan për trajtim në QKUK, kurse tre të tjerë në kujdes intensiv. Uroj që të lënduarit të shërohen sa më shpejtë e të kthehen te familjarët e tyre me të cilët bashkëndjej në këto momente”, ka shkruar ai.

“Dy shpërthime për një kohë kaq të shkurtër janë alarm për autoritetet lokale dhe qendrore për t’u vënë në krye të detyrës në inspektimin e lokaleve. Këso ngjarje tragjike që janë të shmangshme nuk mund të quhen thjesht fatkeqësi e nuk do të duhej të ndodhnin. Shteti është mbikëqyrje e mire”, shton tutje Kurti. /Insajderi.com