Pas takimit – Abdixhiku tregon se për çka u dakorduan me VV

Pas takimit – Abdixhiku tregon se për çka u dakorduan me VV

Lumir Abdixhiku nga grupi punues i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se sot me Vetëvendosjen diskutuan për formantin e Qeverisë së re, për 12 ministritë, dukjen e tyre por duke mos përmendur emra konkretë.

Abdixhiku bëri me dije se gjatë këtij takimi u dakorduan për axhendën e takimeve të ardhshme.

“Në veçanti sot kemi diskutuar për formantin e qeverisë së ardhshme për të 12 ministrisë se si do të duken ato dhe se si do të fuzionohen në ditët e para të Qeverisë”, tha ai, shkruan Insadjeri.

Sipas tij takimet po zhvillohen në frymë pozitive.

“Sot e patëm takimin e dytë në vazhdën e takimeve të grupeve punuese në mes të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, njëjtë sikur në takimin e parë ky takim u zhvillua në frymë pozitive dhe në përafërmi të dy subjekteve politike. Ne sot u dakorduam për agjendën e takimeve për dy javët e ardhshme, dhe kjo axhendë synon të orientohet drejt temave të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, të arsimit shëndetësisë, rendit dhe ligjit dhe politikës së jashtme”, ka thënë Abdixhiku, shkruan Insajderi.

Mes tjerash, ai bëri me dije se takimi i ardhshëm mbahet të hënën në ora 15:00 në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe çdo tre ditë, pas çdo takimi do të ketë takime vijuese mes subjekteve politike.

“Në këtë fazë nuk kemi qasje të diskutimit të emrave konkretë, për dallim prej çdo negociate të kaluar ne synojmë të flasim për tema, për çështje të rëndësishme për Kosovën, zhvillimin ekonomik, për arsim, për shëndetësi për rend dhe ligj dhe për formatin e Qeverisë dhe më pas do të jenë të dy liderët e partive politike që në bazë të propozimeve të grupeve punuese do ta bëjnë marrëveshjen finale. Do të jetë në diskrecion të tyre, çështja e emrave ministrive përkatëse për secilin subjekt politike. Në këto nivele nuk i diskutojmë këto gjëra”, ka thënë Abdixhiku./Insajderi.com