Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, sot në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK ka përuruar pajisjen e re të laparaskopit, e cila ka munguar në këtë klinikë në tri vjetët e fundit.
Me këtë pajisje, e cila ka kushtuar 86 mijë euro, profesionistët shëndetësorë do të kenë mundësi që të realizojnë intervenime kirurgjike me prerje minimale përmes video-kamerës së instaluar në të.
Intervenimet me laparaskop shtojnë cilësinë dhe sigurinë e intervenimit, si dhe shkurtojnë kohën e shërimit të pacientit duke zvogëluar në masë të madhe komplikimet post operative.
Gjatë përurimit të kësaj pajisje, ministri Ismaili tha se lufta kundër korrupsionit gjatë këtyre dy vjetëve ka krijuar mundësi të reja për investime në shëndetësi.
“Duke luftuar korrupsionin kemi rikthyer shpresën dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike shëndetësore. Por, krahas kësaj kemi rikthyer edhe investimet. Jam shumë i lumtur që sot po përurojmë edhe një pajisje e cila i ka munguar Klinikës së Gjinekologjisë për disa vite”, ka thënë ministri Ismaili.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, tha se me këtë pajisje pacientëve do t’u ofrohen shërbime moderne si në të gjithë botën.
“Kjo pajisje na mundëson që të realizojmë operime moderne që bëhen sot në gjithë botën. Kjo është në të mirë të pacientëve pasi që shkurton kohën e shërimit”, ka thënë Ismaili.
Në Klinikën e Gjinekologjisë në dy vjetët e fundit janë ndërruar shtretërit, janë dërguar një numër i madh i pajisjeve të reja dhe janë transformuar sallat e operacionit.