Pas vendimit të SBASHK-ut për grevën, reagon kryetari i Prishtinës

Pas vendimit të SBASHK-ut për grevën, reagon kryetari i Prishtinës

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka apeluar te mësimdhënësit që të gjejnë mënyra për t’iu kthyer mësimit.

Ahmeti ka thënë “lufta për të drejtat e punëtorëve nuk duhet të ndalet në asnjë sektor asnjëherë por nganjëherë dëmi kolateral është më i madh se përfitimi momental”.

“Komunat në Republikën e Kosovës nuk përcaktojnë nivelin e pagave në sektorin publik. Megjithatë, jemi përgjegjës për arsimin parauniversitar në komunat tona. Prandaj me shqetësim, bashkë me fëmijët e prindërit, po e përcjellim grevën që ka lënë klasët e zbrazëta, e fëmijët në shtëpi”, ka thënë Ahmeti.

“Si Komunë e Prishtinës apelojme tek mësimdhënësit që të gjejnë rrugën që fëmijët të mos humbin mësimin. Lufta për të drejtat e punëtorëve nuk duhet të ndalet në asnjë sektor asnjëherë por nganjëherë dëmi kolateral është më i madh se përfitimi momental”, ka thënë më tej ai.

Ky postim i tij vjen pas përpjekjes së kryeministrit Ramush Haradinaj që me një ofertë për rritje të pagave prej 10 për qind të ndërpritet greva e mësimdhënësve. Oferta e Qeverisë u refuzua nga SBASHK-u, që kërkon rritje të koeficienteve për punëtorët arsimorë në 30 për qind.