Në mbrëmjen e 17 marsit u bë i ditur lajmi se këngëtari i muzikës popullore Muhamet Sejdiu ka rezultuar pozitiv me COVID-19 bashkë me gruan e tij. Aso kohe ai ishte kthyer nga Gjermania ku kishte performuar në ahengjet që organizohen për 8 Mars teksa vazhdoi edhe në evente të tjera bashkë me Xenin kur u kthye në Kosovë.
Më 31 mars ai më pas kishte postuar në llogarinë e tij në Facebook, për të ndarë lajmin se ai dhe gruaja e tij mposhtën koronavirusin. Ai në shkrimin e tij ka falënderuar mjekët dhe gjithë stafin e Klinikës Infektive për punën e tyre, derisa të gjithë atyre që po përballen me këtë virus iu ka uruar shërim të shpejtë.
Mirëpo ky falënderim i shkruar nuk paska qenë i mjaftueshëm për këngëtarin i cili zgjodhi të falënderojë gjithë stafin mjekësor, me diçka që di të bëjë më së miri – me këngë.
Gjatë ditës së djeshme ai publikoi këngën “Falënderim” e cila u shoqërua me videoklip. Në videoklip ai sfidoi veten edhe në aktrim, ku në sekondat e parë ai telefonin mjekun për t’i treguar shqetësimet e tij mjekësore.
Më poshtë mund të ndiqni këngën e plotë të këngëtarit. /Insajderi.com