Pasi paralajmëroi bashkimin e LDK-së në dialog, Isa Mustafa jep një tjetër sqarim

Pasi paralajmëroi bashkimin e LDK-së në dialog, Isa Mustafa jep një tjetër sqarim

Në një postim që e bëri para disa minutash, Isa Mustafa tregoi për rëndësinë e madhe që e ka bashkimi i pozitës me opozitën për dialogun me Serbinë.

Kështu duke lënë të hapur mundësinë për bashkimin e LDK-së në ekipin e dialogut.

“Në këtë situatë është pak e rëndësishme se kush është pozitë e kush opozitë, sa është e rëndësishme se pa pozitën dhe pa opozitën e mirëfilltë nuk ka zgjidhje të çështjeve me interes shtetëror dhe nacional. Dhe, po ashtu se pa dy krahët, atë të trashëgimisë së rezistencës së Ibrahim Rugovës dhe atë të dalë nga UÇK, nuk mund të përballohet përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë”, kishte shkruar Mustafa.

Por disa momente pas këtij postimi, kryetari i LDK-së reagoi përsëri.

Tha se qëndrimet e tij të mëhershme nuk janë pikëpamje për përfshirjen e partisë që drejton në ekipin e dialogut.

“Pikëpamjet e mia për unitet karshi Serbisë, të shprehura në postimin paraprak, nuk përfaqësojnë pikëpamje se do ti bashkohemi apo bashkëngjitemi asnjë ekipi në dialog por se do ti mbrojmë interesat e vendit si opozitë dhe si parti e cila përfaqëson një trashëgimi të veçantë historike. Qëndrimet e LDK-së janë të qarta”, shkruan së fundi Isa Mustafa.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e parë të Isa Mustafës. /Insajderi.com

Miq të nderuar,

Ngjarjet kombëtare e festat fetare na bëjnë bashkë ne shqiptarët. Na ka bërë bashkë edhe rreziku i zhbërjes sonë në shumë faza të historisë, sidomos në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar

Në ngjarje de raste të tilla jemi kursyer nga humbja e energjisë për ta sulmuar dhe denigruar njëri tjetrit, sepse kemi vlerësuar nevojën e kohezionit kombëtar e qytetar, dhe që dallimet tona ti shfrytëzojmë si vlera dhe pasuri tona të diversitetit karshi rrezikut nga jashtë. Edhe tani, kur po ballafaqohemi me tendencat e Serbisë për të shkallmuar një pjesë të territorit të Kosovës dhe për ta bërë jofunksional shtetin tonë të ri, kemi nevojë të veprojmë bashkërisht për ta mbrojtur atë çfarë të gjithë ne e kemi ndërtuar.

Përgjegjësia e gjithë neve nuk është vetëm të marrim përgjegjësi, por që këtë përgjegjësi ta marrim sipas kandarit me të cilin qytetarët tanë na kanë bërë përgjegjës para tyre dhe para Kosovës.

Në këtë situatë është pak e rëndësishme se kush është pozitë e kush opozitë, sa është e rëndësishme se pa pozitën dhe pa opozitën e mirëfilltë nuk ka zgjidhje të çështjeve me interes shtetëror dhe nacional. Dhe, po ashtu se pa dy krahët, atë të trashëgimisë së rezistencës së Ibrahim Rugovës dhe atë të dalë nga UÇK, nuk mund të përballohet përmbyllja e marrëveshjes me Serbinë

Në këto procese nuk mund të përjashtohet askush, sepse nuk ka parti dhe njeri që nuk e do Kosovën dhe shtetin e Kosovës, por çdokush e do sipas mënyrës së vet dhe me kutin e vet.

Në kohën kur kemi institucione kushtetuese nuk na lejohet të improvizojmë, sepse zgjidhja mund të jetë ajo që është e pranueshme për shumicën që e përcakton Kushtetuta jonë. IM