Pasuesi i Vokrrit në FFK mbrohet në heshtje për rastin e BMW X5

Pasuesi i Vokrrit në FFK mbrohet në heshtje për rastin e BMW X5

Kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi si dhe Muharrem Rama, të cilët po akuzohen për ushtrim ndikimi dhe detyrim, kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje.

Ademi e Rama akuzohen se me qëllim të përfitim material, e kishin detyruar dhe kërcënuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, lidhur me pagesën e një veture të tipit “BMË X5”, në vlerë prej 30 mijë euro, e cila më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtësi i të akuzuarit Ademi, avokati Qazim Qerimi, dhe avokati i Ramës, Ramiz Krasniqi kanë njoftuar gjykatën se pas konsultimit me të mbrojturit e tyre, ata kishin vendosur të shfrytëzojnë të drejtë ligjore për tu mbrojtur në heshtje.

Ata deklaruan se dy të akuzuarit mbesin pranë deklaratës që kishin dhënë te prokurori i EULEX-it, më 2 maj 2013.

Po ashtu, dy të akuzuarit deklaruan se ndaj tyre nuk është duke u zhvilluar asnjë procedurë tjetër penale, dhe se asnjëri nuk kishte qenë më parë i dënuar për ndonjë vepër penale.

Ndryshe, në këtë seancë, prokurori Feti Tunuzliu i ka prezantuar provat në aktakuzë të cilat sipas tij, duhet të administrohen si prova materiale.

Ai i prezantoi disa raporte si: raporti për zbatimin e masës së fshehtë, monitorimi i fshehtë i bisedave në vende publike 6 shtator 2012 që përfshinte bisedën e përgjuar midis të dëmtuarit Kadrolli dhe të pandehurit Rama, pastaj edhe bisedën në mes Ramës dhe Ademit, raporti i përgjimit të SMS-ve, mes të pandehurve Ramës, Ademit dhe Hamitit.

Tutje, Tunuzliu prezantoi edhe raportin e bastisjes së vendbanimit të Ramës, raportin e bastisjes së zyrës së Ademit me 12 shtator 2012, raportin e bastisjes së vendbanimit të Ademit, raportin mbi bastisjen e lokalit të Ramës, raporti i bastisjes së lokalit të Sami Hamitit, raporti i përgjimit të telekomunikimeve dhe mesazheve i 25 shtatorit 2012, raporti i të dhënave nga regjistrimi i telefonatave, si dhe disa raporte të zbulimit të të dhënave financiare.

Në këto prova, patën vërejtje mbrojtësit e të akuzuarve Ademi dhe Rama, avokatët Qazim Qerimi dhe Ramiz Krasniqi.

Sipas avokatit Krasniqi, këto raporte nuk ishin prova për gjykatën, pasi sipas tij, nocioni i provës ishte më i ndërlikuar, dhe se prokurori nuk i përmendi të njëjtat si prova.

“Raportet nuk janë prova. Raportet dhe këto që u propozuan në aktakuzë janë vetëm indicie. Indiciet janë paragjykime. Gjykata nuk mund të bjerë aktgjykim fajësues në bazë të indicieve. “Me gjasë te ne ende nuk është sqaruar çështja çka është prova dhe çka është fakti…Kur prokurori propozon që të administrohet diç nga aktakuza ai duhet të thotë pse bëhet administrim, mbi këtë bazë i propozoi gjykatës që këto mos ti trajtojë si prova dhe t’i veçojë nga shkresat e lëndës”, ka thënë avokati Ramiz Krasniqi.

Lidhur me deklarimin e tij, prokurori Tunuzliu tha se në bazë të kërkesave të prokurorit të EULEX-i, gjyqtari i procedurës paraprake i kishte lëshuar urdhëresat përkatëse të cilat ishin zbatuar nga ana e policisë, e cila sipas tij, kishte qenë e detyruar që në lidhje më urdhëresat e tilla t’i përpilojë shkresat përkatëse që në rastin konkret ishin titulluar si raporte.

Ai tha se këto raporte përmbanin rrjedhën e zbatimit të masave të zbatuara për të cilat ishin lëshuar urdhëresat e tilla, dhe se rezultatet e zbatimit të urdhëresave, ishin pasqyruar në këto raporte të hetuesve policor.

Mbrojtësit e të akuzuarve ia dorëzuan gjykatës si prova të reja, aktakuzën e 4 nëntorit 2011 kundër të dëmtuarit Dritëro Kadrollit për veprën penale të mashtrimit, propozim akuzën për kanosje, si dhe propozim akuzën për veprën penale pushtim i paligjshëm i pronës së paluajtshme, si dëshmi lidhur me kredibilitetin e të dëmtuarit.

Mirëpo, këto prova i ka kundërshtuar prokurori Tunuzliu, pasi sipas tij, më këto prova nuk ndriçohej asnjë fakt relevant që ndërlidhet me gjendjen faktike të dispozitivit të aktakuzës.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj refuzuan propozimin e mbrojtësve, me arsyetimin se të njëjtat prova ishin pjesë e shkresave të lëndës.

Fjala përfundimtare është caktuar me 20 mars 2019, në ora 13:30.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.