PD i përgjigjet mesazhit të Ramës: Ku është fletë-arresti për Vangjush Dakon?

PD i përgjigjet mesazhit të Ramës: Ku është fletë-arresti për Vangjush Dakon?

Partia Demokratike me anë të Sekretarit të saj të Përgjithshëm Gazmend Bardhi ka reaguar pas video-mesazhit të kryeministrit Edi Rama, ku thuhej se opozita e vendit ka dështuar të ndihmojë banorët e prekur nga tërmeti në këto ditë të vështira për ta.

Bardhi shprehet se Edi Rama po bën shou me tragjedinë e 26 nëntorit, ndërsa ka shtuar se ai arreston cironka dhe lë të lirë njerëzit më të besuar, si Vangjush Dako. Sipas Bardhit, Edi Rama vazhdon të japë shou me tragjedinë, ndërsa fajin për dështimet e tij ia hedh opozitës.

Postimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazmend Bardhi:

Edi Rama vazhdon të bëjë shoë mbi tragjedinë e 26 Nëntorit, duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe abuzimin e qeverisë së tij me propagandë të shëmtuar kundër opozitës.

Për fatin e keq të Shqipërisë dhe qytetarëve të prekur nga tërmeti, këto 3 javë provuan se vendi drejtohet nga një kryeministër i dështuar. Edi Rama dështoi të menaxhojë situatën pas tërmetit, dështoi t’u japë qytetarëve sigurinë për banesat e tyre, dështoi të mbrojë interesin publik, duke mbrojtur paturpësisht 150 milionë dollarë që u jep oligarkëve për koncesionet korruptive të firmosura prej qeverisë se tij.

Dëshmi e dështimit të Edi Ramës është edhe përgjegjësia direkte për vdekjen e 24 qytetarëve në pallatet e shpallura të pabanueshme në Thumanë pas tërmetit të 21 Shatorit, për të cilët nuk mori asnjë masë për ti strehuar, duke i lënë në mëshirën e fatit.

Dështimi më i madh i Edi Ramës është se nuk shndërroi dot Partinë Demokratike dhe opozitën në fasadën e pushtetit të tij të korruptuar dhe të kriminalizuar. Ai e ka të lidhur fatin me Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn, ndërsa ne me qytetarët shqiptarë.

Në këtë kohë fatkeqësie, shqiptarët kanë parë se e vetmja forcë e përgjegjshme, që ka ngritur zërin për interesin e tyre është opozita. Ne nuk përfituam politikisht nga tragjedia, ne nuk u tallëm me viktimat dhe as nuk i përdorëm të prekurit nga tërmeti, siç po përpiqet prej ditës së parë, Edi Rama, i cili shpiku edhe fejesën e të birit për t’u viktimizuar para shqiptarëve që ia kanë hequr vizën me kohë./BW