PDK: 100 ditë të para, dështim për Qeverinë Hoti

PDK: 100 ditë të para, dështim për Qeverinë Hoti

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikatë për media e ka cilësuar si të dështuar 100 ditshin e parë të qeverisë të cilën e udhëheq Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

“Prishtinë, 12 Shtator 2020 – Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të dështuar në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme, 100 ditshin e punës së qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti”.

Në komunikatën e PDK-së, thuhet se Qeveria Hoti fillimisht dështoi në menaxhimin e pandemisë Covid-19.

“Kjo periudhë e qeverisjes u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për kokë banori. Kosova u fut në listën e zezë të udhëtimeve të qytetarëve tonë nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane”.

Tuje, sipas PDK-së, kjo qeverisë, ka dështuar edhe në ofrimin e ndihmës ekonomike për qytetarët dhe bizneset të cilët janë prekur nga pandemia.

“Krahas kësaj, Qeveria Hoti dështoi t’i dalë në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve të vendit duke mos përmbushur as për së afërmi premtimet për rimëkëmbje ekonomike. Mijëra punëtorë po rrezikojnë vendet e tyre të punës, ndërsa qindra biznese janë afër kolapsit si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia dhe paaftësisë së kësaj qeverie. Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë. Premtimet për ndarjen e fondit mbi 1 miliard euro për tejkalimin e krizës kanë mbetur në letër nga Qeveria Hoti, e cila nuk ka as vizon dhe as vullnet për t’u marrë me këtë problematikë”.

Një tjetër dështim që e karakterizon qeverisjen gjatë këtyre 100 ditëve, është paaftësia e saj për të filluar dhe përgatitur me kohe për fillimin e vitit të ri shkollor

“Në 100 ditë, Qeveria Hoti dështoi në përgatitjet për rifillimin me kohë të mësimit më 1 shtator duke krijuar konfuzitet të madh në mesin e shumë prindërve e mësimdhënësve. Me këtë qasje, kjo qeveri po rrezikon të ardhmen e mijëra fëmijëve të Kosovës, të cilët ka mbi pesë muaj që janë shkëputur nga mësimi i rregullt. Edhe rifillimi i mësimit i paralajmëruar më 14 shtator ka rrezik të dështoj sepse mungojnë përgatitjet e instruksionet si të veprohet në kushtet e pandemisë”.

Në fund në komunikatën e kësaj partie thuhet se edhe për shkak të mungesës së unitetit brenda partnerëve të koalicionit, kjo qeveri ka humbur besimin tek qytetarët e vendit.

Ndërsa, kjo paaftësi e kësaj qeverie ka reflektuar edhe në dështimin e politikës se jashtme të Kosovës, ku pika me e lartë e këtij dështimi është marrëveshja e Uashingtonit./Insajderi.com