PDK beson se nesër mund të merren vesh për caktimin e seancës

PDK beson se nesër mund të merren vesh për caktimin e seancës

Takimi i nesërm konsultativ mes koalicionit PAN dhe të kryesuesit të Kuvendit Adem Mikullovci pritet që të rezultojë në arritjen e caktimit të datës së seancës së radhës. Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi shpreson në pajtim mes palëve.

Por nuk dihet nëse aty do të shkojë dikush tjetër përveç PAN-it, edhe pse zyrtarë nga koalicioni LAA kanë thënë se do të marrin pjesë, kurse Vetëvendosje ka thënë se nuk do të jetë pjesë e këtij takimi.

Ky takim vjen pas dështimit të pesë seancave të kaluara për t’u formuar institucionet.

Ndonëse kishte thënë se nuk do të ketë mbledhje konsultative, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ia ka mundësuar PAN-it që të mërkurën (nesër) të mblidhen për të diskutuar rreth kërkesës së tyre rreth seancës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shpreson që të nesërmen të arrihet edhe deri te caktimi i datës së seancës.

“Ne shpresojmë se përmes dakordimit në takimin konsultativ do të përcaktohet data e mbajtjes se seancës”, është shprehur Memli Krasniqi për Express.

Por, një takim tjetër pritet që të zhvillohet ditën e nesërme nga koalicioni LAA, i cili do ta organizojë një tryezë diskutimi ku temë kyçe do të jetë bllokada drejt formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Ata në tryezën e tyre nuk e kanë ftuar vetëm koalicionin PAN.