PDK: Dhuna në shkolla, alarmante – Urgjentisht të punësohen psikologë

PDK: Dhuna në shkolla, alarmante – Urgjentisht të punësohen psikologë

“Nevoja për psikologë të kualifikuar në çdo shkollë të Kosovës është urgjente dhe kërkojmë nga qeveria qe të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta realizuar këtë kërkesë”.

Kështu deklaroi të premten nënkryetarja e rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtare e Këshillit Drejtues së partisë, Jona Arifi, në një konferencë për media, përcjell Insajderi.

Ajo tha se PDK i sheh ne shqetësim ngjarjet e ditëve të fundit në institucionet arsimore dhe për rastet e shpeshta të raportuara të dhunës fizike, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale, bullizmit dhe stigmatizimit ndaj nxënësve.

Arifi kërkoi veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e të gjitha rasteve të ngacmimeve dhe dhunës ndaj nxënësve.

Ajo hedhi akuza ndaj tri qeverive që janë ndërruar përgjatë periudhës së pandemisë që “nuk kanë bërë asgjë për t’iu siguruar nxënësve mësim adekuat, si pasojë e së cilës do të kemi një vit të humbur shkollor dhe me pasoja afatgjata”.

“Mungesa e ambienteve të përshtatshme për nxënësit dhe paraqitja e këtyre rasteve ndikojnë jo vetëm në cilësinë e arsimit, por edhe në zhvillimin  dhe mirëqenien mentale dhe social të nxënësve. Nevoja për psikologë të kualifikuar në çdo shkollë të Kosovës është urgjente dhe kërkojmë nga qeveria qe të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta realizuar këtë kërkesë, që para së gjithash vjen nga nxënësit dhe prindërit e tyre. Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës bën thirrje për çasje pro aktive, për politika të menaxhimit të shkollave që krijojnë mjedise miqësore të sigurta dhe jopërjashtuese për të gjithë nxënësit”, theksoi Arifi./Insajderi.com