PDK heq nga lista kandidatin që nuk është verifikuar

PDK heq nga lista kandidatin që nuk është verifikuar

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do ta respektojë vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me kandidatët e dënuar gjatë tri vjetve të fundit për vepra penale, njofton Insajderi.

Me anë të një njoftimi, PDK thotë se do të largojnë nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020.

“Respektimi i plotë i normave që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera ligjore për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, janë kritere të domosdoshme për ta garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës respekton çdo vendim të institucioneve përgjegjëse dhe fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, që të bëjnë fushatë të dinjitetshme, duke e respektuar procesin zgjedhor”. /Insajderi.com