PDK i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit e Osmanit për takim

PDK i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit e Osmanit për takim

Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht ftesës për takim të fituesve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, lidhur me konstituimin e institucioneve.

Ky subjekt politik qëndrimet rreth formimit të institucioneve do t’i bëjë të ditura në këtë takimi, i cili do të mbahet të hënën e 15 marsit.

Kështu ka thënë në një përgjigje për Insajderi-n zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

“PDK do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit te institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim” ka thënë ai.

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe e propozuara për presidente nga lista e VV-së, Vjosa Osmani, të enjten i kanë bërë ftesë ushtruesit të detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kryetarit të LDK-së, i cili do të zgjidhet më 14 mars si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për takime konsultative pas certifikimit të procesit zgjedhor.

Takimet pritet të zhvillohen të hënën e 15 marsit./Insajderi.com