PDK-ja distancohet nga Lirak Çelaj

PDK-ja distancohet nga Lirak Çelaj

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë sot se Lirak Çelaj nuk përfaqëson qëndrimet e partisë, njofton Insajderi.

Përmes një sqarimi për media, PDK-ja thotë se Çelaj, i cili ishte i ftuar sonte në një emision televiziv në “RTV Dukagjini”, nuk përfaqëson qëndrimet e partisë, por vetëm mendimet e tij personale, transmeton Zeri.info.

Ky reagim i PDK-së vjen pasi kjo parti ka kohë që ka shkëputur bashkëpunimin me këtë televizion.

“Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të bojkotoj RTV Dukagjinin dhe të gjitha emisionet e tij. I ftuari i sotëm për të folur kinse në emër të PDK-së “për opozitën e ardhshme”, Lirak Çelaj nuk është dërguar nga partia në emisionin Debat Plus dhe rrjedhimisht ai nuk përfaqëson qëndrimet zyrtare të partisë por vetëm mendimet e tij personale”, thuhet në sqarimin e PDK-së.

PDK-ja në fund ka falënderuar mediat dhe gazetarët për bashkëpunimin dhe se mbetet e hapur në shërbim të komunikimit sa më të mirë.

Çelaj i cili është Anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kohë që ka nisur kritikat ndaj partisë së tij, ndërsa ditë më parë ka thënë se pas rezultatit në zgjedhjet e 14 shkurtit, PDK-ja duhet të bëjë reforma themelore./Insajderi.com