PDK-ja e konsideron provokim vizitën e Kurtit në Skenderaj

PDK-ja e konsideron provokim vizitën e Kurtit në Skenderaj

Vizitën e kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, në Skenderaj, Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë e ka quajtur si provokim, njofton Insajderi.

PDK-ja shkruan se vizita e Kurtit me Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës është e papranueshme pasi që sipas tyre, ky veprim ngjall kujtime të kohëve të errëta për Skenderajn.

“Kjo vizitë e blinduar kishte për qëllim provokimin e qytetarëve të Skenderajt dhe viktimizimin e mëtutjeshëm të Albin Kurtit me qëllim të përfitimit elektoral në prag të zgjedhjeve. Vizita e Kurtit sot në Skenderaj u realizua shoqëruar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, gjë që nuk ndodhi para pak ditësh në veri të Mitrovicës. Pse ndodhi kështu. Tentimi për ta paraqitur Skenderajn si zonë me rrezikshmëri është i kamotshëm, edhe për kundër se Skenderaj që nga paslufta, bazuar në raportet zyrtare ka qenë dhe vazhdon te jetë zona më e sigurt në Kosovë”, thuhet në shkrimin e PDK-së, dega në Skenderaj.

Vizitën e Kurtit në bastionin e PDK-së, kjo parti e quan si të inskenuar dhe me skenar dashakeq.

“Qytetarët e Skenderajt në vazhdimësi kanë përqafuar vlerat demokratike të lirë dhe të zgjedhjes së lirë. Qytetarët e Skenderajt kanë sakrifikuar në vazhdimësi për këto vlera. Ata as sot dhe asnjëherë nuk do të bien pre e provokimeve të ulëta nga kushdo që bëhen”, thuhet tutje.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, sot ka vizituar Komunën e Skenderajt. Bëhet e ditur se Kurti në këtë vizitë është pritur me thirrjet “UÇK” dhe “Thaçi”./Insajderi.com