PDK-ja merr vendim, tregon nëse do të marrin pjesë në mbledhjen e qeverisë

PDK-ja merr vendim, tregon nëse do të marrin pjesë në mbledhjen e qeverisë

Ministrat e Partisë Demokratike të Kosovës do të marrin pjesë në mbledhjen e Qeverisë së thirrur nga kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, Enver Hoxhaj, zëvendëskryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Po, do të jemi në mbledhjen e Qeverisë”, ka thënë shkurt Hoxhaj për Telegrafin.

Ndryshe, mediat kanë raportuar se ministrat e PDK-së mund të mos jenë në mbledhjen e Qeverisë, pasi që siç është thënë “nuk gjenden në Kosovë”.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është kthyer nga Haga në Kosovë mbrëmë pak para mesnatës.

E me t’u kthyer, Haradinaj ka ftuar Qeverinë në një mbledhje e cila do të mbahet prej orës 14:00.

Haradinaj deklaroi se duhet t’i kthehen punëve si qeveri në dorëheqje pasi nuk guxojnë që të lënë vendin në vakum qeverisës.

“Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakumit qeverisës”, deklaroi Haradinaj.

Megjithëse ka të atillë që mendojnë se mbledhja e qeverisë dhe kryerja e detyrave pas dorëheqjes është jo kushtetuese, Haradinaj ka ftuar që të njëjtit t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje pikërisht para një jave, si rezultat i një ftese për intervistim nga Dhomat e Specializuara në Gjykatën Speciale.