PDK-ja përdorë në fushatë këngën e Dafina Zeqirit pa lejen e saj

PDK-ja përdorë në fushatë këngën e Dafina Zeqirit pa lejen e saj

Kënga “Liri” e kënduar nga këngëtarja Dafina Zeqiri, është një nga këngët kryesore që Partia Demokratike e Kosovës në secilin tubim po e lëshon para se folësit në këto tubime të marrin fjalën.

Kënga e cila flet për njeriun që kërkon liri pa kufi, ishte realizuar edhe si video në të cilën i ishte dhënë konotacioni për kërkesën e kosovarëve për liberalizim vizash. Videoja ishte mbështetur nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Integrimeve në kuadër të fushatës për liberalizim vizash.

Por përdorimi i kësaj kënge në tubimet e PDK-së, sipas vet menaxherit të këngëtares Dafina Zeqiri është duke u bërë pa leje.

Në pyetjen e dërguar nga Insajderi, nëse këngëtarja i ka dhënë leje partisë së Kadri Veselit për ta përdorur në fushatë, Pëllumb Çitaku menaxher i Dafina Zeqirit ka mohuar një gjë të tillë.

“Ne nuk kemi autorizuar asnjë parti me përdorë materialet tona. Gjithmonë kemi qëndruar larg politikës dhe kemi refuzuar gjithmonë ofertat për të performuar në fushata apo diçka të ngjashme”, ka thënë Çitaku për Insajderin.

Ai ka thënë se fakti që videoja e këngës “Liri” është mbështetur nga shteti nuk i jep të drejtë asnjë partie përdorimin e këngës për qëllime elektorale.

Insajderi ka dërguar në PDK pyetjet për të kërkuar nëse ata kanë marrë leje për përdorimin e këngës së Dafina Zeqirit por nuk ka marrë asnjë përgjigje. /Insajderi.com