PDK merr vendim për të votuar Projektligin për Rimëkëmbje Ekonomike

PDK merr vendim për të votuar Projektligin për Rimëkëmbje Ekonomike

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendim për të votuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur vetë ky subjekt politik me aneë të një njoftimi për media, ku thuhet se një gjë e tillë do të ndodhë pasi janë marrë parasysh kërkesat e PDK-së nga ana e Qeverisë.

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë sot se PDK ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për të ftuar seancë të jashtëzakonshme për ta votuar ligjin për rimëkëmbje ekonomike, ku janë futur propozimet e PDK-së të cilat ndihmojnë punëtorët e sektorit privat dhe bizneset me mbi 400 milionë euro buxhet. Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës tanimë ka propozuar katër masa konkrete, të cilat, nëse pranohen nga qeveria, Partia Demokratike e Kosovës do ta votoj ligjin e rimëkëmbjes ekonomike. Kryetari në detyrë Hoxhaj, ka thënë se PDK është e gatshme që qysh të premten të jetë pjesë e seancës ku do të mund të votohej pakoja e rimëkëmbjes ekonomike me masat e propozuara nga PDK”, thuhet në njoftim.

Ky projektligj ka kaluar edhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Kërkesat të cilat PDK i ka propozuar përmes amandamenteve janë:

  1. Të themelohet një fond i veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Pra, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të pa punë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në Shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, do të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj.

  1. Të themelohet granti në shumë prej 200 milionë euro, për ndihmë direkte financiare bizneseve të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të COVID-19.

Këto mjete të grantit do t’i shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga ana e një Komisionit të posaçëm i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës, të cilat dëshmojnë se e kanë të vështirë zhvillimin e afarizmit si pasojë e ndikimit të COVID -19.

  1. Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Trustin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë Euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 % (dhjetë për qind) nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek TRUST-i Brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë.
  2. Qeveria e Kosovës duhet të liroj nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.
  3. Dhe në fund, por jo nga rëndësia, me qëllim të rritjes së transparencës dhe për ta përcjell efektin e këtyre masave, PDK kërkon që të njejtat të jenë të specifikuara qartë në kuadër të ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021. /Insajderi.com