PDK: Nesër rrumbullak të gjithë do të jemi në Kuvend

PDK: Nesër rrumbullak të gjithë do të jemi në Kuvend

Nesër do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku pikë e  rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Ishin pikërisht përfaqësuesit e koalicionit PAN, ata që kërkuan që kjo seancë të mbahet nesër, më 24 gusht.

Në mbledhjen konsultative me shefat e grupeve parlamentare, përfaqësues nga ky koalicion thanë se do të marrin pjesë në seancë, ku do ta prezantojnë kandidatin për kryetar Kuvendi, meqë ashtu është e përcaktuar edhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilës, koalicioni ose partia me më së shumti vota ka të drejtë ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar.

Por, një deklaratë e kandidatit për kryeministër nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, sërish krijojë konfuzitet.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, Haradinaj tha se ende s’është e sigurt që do të marrin pjesë në seancën e nesërme.

“E para po me vjen keq për kohën dhe për shtyrjen që kanë ndodhur deri më tani. Pra, nuk ndihem mirë për faktin që po shtyhet deri me tani. Tjetra është që ende jemi në përpjekje që të jemi nesër në seancë. Ekziston mundësia reale që edhe nesër të mos mund të fillojmë. Këto shtyrje edhe pse janë humbje kohe, pra nuk po ndodh seanca e fitojnë një aspekt tjetër kohën, pra sepse bëjmë gati kohën që të jetë një nisje e qëndrueshme më gjithëpërfshirëse dhe për këtë t’iu them në njëfarë mënyre po punojmë intensivisht që këtë humbje kohe tashme ta kompensojmë me një qeveri që është më gjithëpërfshirëse që mund t’iu bëjë ballë temave në vend”, tha Haradinaj.

Reagimet e partive të tjera ishin të menjëhershme, meqë pikërisht ky koalicioni që mori më së shumti vota në zgjedhjet e 11 qershorit, propozoi 24 gushtit si datë për mbajtjen e seancës konstituive, transmeton Periskopi.

Reagoi edhe kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, i cili për Periskopin tha se ‘tashmë janë mësuar që PAN të mos shkojë në seancë’.

“Çka të them, ne jemi mësuar tashmë me këto veprime të PAN’it. Seanca nesër do të zhvillohet edhe pa PAN’in. Unë do të kryesoj seancën si të gjitha herët tjera dhe nuk di çfarë them për mungesën e tyre, në rast se e bejnë këtë. Duket se më askush nuk di çfarë të thotë për këtë”, ka thënë Mikullovci për Periskopin.

Por pavarësisht paralajmërimit të Haradinajt, në seancën e nesërme deputetët e PDK’së do të marrin pjesë.

Këtë e bëri të ditur për Periskopin, sekretari i përgjithshëm i partisë, Basri Musmurati.

“Po, rrumbullak do të jenë prezent në seancë”, tha Musmurati shkurt për Periskopin.

Lidhur me këtë çështje, Periskopi kontaktoi edhe deputetin Memli Krasniqin, por ky i fundit e kishte të pamundur të deklarohet, meqë tha se është i zënë në një mbledhje.

Gjatë ditës reagoi edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila për Periskopin tregoi se si do të veprojnë nesër nëse deputetët e koalicionit PAN nuk marrin pjesë në seancë.