PDK: Pamje shokuese e të papranueshme të menaxhimit të pandemisë

PDK: Pamje shokuese e të papranueshme të menaxhimit të pandemisë

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtari i kryesisë së PDK-së, Donjet Bislimi, në emër të kësaj partie është shprehur i shqetësuar për situatën e shkaktuar nga pandemia COVID-19, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës së sotme, Bislimi ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, janë duke e keqmenaxhuar këtë gjendje nga Coronavirusi.

“Ne shprehim zemërim e thellë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë së Kosovës, për keq-menaxhimin e spitaleve dhe gjithë sistemit shëndetësor, gjë që është demonstruar tashmë nga raportimet e mediave”, ka thënë ai.

“Pamjet që po vijnë nga klinikat dhe spitalet kudo në Kosovës, rrëfimet dhe përjetimet e pacientëve, familjarëve të tyre dhe përvoja e ime si mjek që nga fillimi i pandemisë, janë vërtetë shokuese dhe të papranueshme për gjendjen ku jemi”.

“Tani secili indivudalisht jemi prekur nga pandemia; në familjet tona; kemi miq e njerëz që njohim që i kemi humbur nga kjo sëmundje. Prandaj, në emër të Partisë Demokratike shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, shtoi tutje Bislimi.

Ai tutje ka theksuar se duhet sa më shpejt të sigurohet vaksina kundër koronavirusit.

“Papërgjegjshmëria, paaftësia dhe mungesa e ndjeshmërisë së dy qeverive, asaj ish-Kurti dhe Hoti, janë duke i kushtuar me jetë të çmuara Kosovës. Çdo vonesë në sigurimin e vaksinës anti-COVID, përkthehet në jetë të humbura njerëzish. Çdo vazhdim i mungesave të barnave, oksigjenit, mjeteve apo stafit shëndetësor, gjithashtu shton bilancin tashmë të rëndë të vdekjeve prej koronavirusit”, është shprehur Bislimi.

“Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për një mobilizim urgjent serioz të Qeverisë për sa i përket menaxhimit të pandemisë në vend, që sigurimi i vaksinës anti-COVID dhe adresimi i mungesave të sipërpërmendura në sistemin shëndetësor tonin të bëhet prioriteti numër një i gjithë shoqërisë”.

“Po ashtu, i bëjmë thirrje edhe shoqërisë civile, mediave dhe mbarë opinionit publik që të bëjë presion ndaj qeverisë që të vihet sa më shpejt në lëvizje për të përmbushur detyrat dhe obligimet që ka përkundrejt shëndetit publik”, ka thënë ai. /Insajderi.com