PDK premton rritjen e pagës minimale, skemave sociale dhe pensioneve

PDK premton rritjen e pagës minimale, skemave sociale dhe pensioneve

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Sejdi Hoxha, ka premtuar se me qeverisjen e kësaj partie, do të ketë rritje të pagës minimale në vend nga 170 në 300 euro, transmeton Insajderi.

Hoxha po ashtu tha se përveç kësaj, do të rrisin pensionet e pleqërisë deri në 40% dhe skemat sociale deri në 30%.

“Gjithashtu prioritet të veçantë do të ketë në rritjen e pensioneve për veteranët e luftës, invalidët e luftës dhe për familjet e dëshmorëve”, tha ai për EO.

Sipas Hoxhës, PDK-ja e ka plan-programin më të mirë në raport me të gjitha partitë e tjera.

“Prioritet të veçantë qeverisja e PDK-së, do t’i kushtojë sektorit privat, ndihmë dhe përkrahje të bizneseve private ku do të ndahen 500 milionë euro me të cilat do të ju ndihmojmë bizneseve të cilat janë prekur nga pandemia.

Këto mjete do të jenë mjete pa kthim. Prioritet i veçantë i Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë rinia e Kosovës e cila është e shkëlqyer, ku çdo vit, qeverisja Enver Hoxhaj do të ndaj shumën nga 15 milionë euro për të rinjtë”, pohoi tutje ai./Insajderi.com