PDK: Qeveria Kurti dështoi në procesin e mësimit për fëmijët në kushtet e shtëpisë

PDK: Qeveria Kurti dështoi në procesin e mësimit për fëmijët në kushtet e shtëpisë

Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar sot disa raste që sipas tyre MASHTI gjatë kësaj kohe ka bërë gabime dhe abuzime. Kjo parti konsideron se Qeveria në detyrë e Albin Kurtit është treguar e paaftë dhe neglizhente në fushën e arsimit.

Anëtari i Kryesisë dhe udhëheqësi i Departamentit për Rini dhe Inovacion Muzafer Shala tha në një konferencë për media, se është e turpshme që në mesin e orëve mësimore po transmetohen reklama me figurën politike të ministrit në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia.

“ Sikurse me të gjitha masat e tjera kundër pandemisë, kjo qeveri në ikje e Albin Kurtit është treguar e vonuar, e paaftë dhe neglizhuese edhe në fushën e arsimit. Më lejoni që së pari të përmendi që është e turpshme që në mesin e orëve mësimore që transmetohet nëpër televizione janë përfshirë reklama, me figurën e ministrit të shkarkuar të Shëndetësisë, Arben Vitia. Është e pakuptueshme që përse duhet që udhëzimet specifike me zërin dhe figurën e Arben Vitisë që janë të targetuar për të rritur, të transmetohen bashkë me programe që janë të dedikuara për audiencën e rritur. Kjo është një ngarkesë e panevojshme psiko-sociale për fëmijët tanë si dhe një abuzim i skajshëm i propagandës politike të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Shala.

Sipas tij, vendet e tjera fqinje kanë përgatitur udhëzues për mësimin online shumë më herët, ndërsa Kosova vetëm në fund të javës së kaluar, që siç tha ai, është shtatë javë pas fillimit të pandemisë.

“Duam të denoncojmë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e cila po pretendon se është duke organizuar mësimin online përmes televizionit. Kjo është një gënjeshtër sepse në fakt kjo që po organizohet nga qeveria e shkarkuar duhet të quhet mësim i njëanshëm në distancë sepse mësimi përmes internetit është interaktiv. Mësimi interaktiv apo ndërveprues online u mundëson të gjithë nxënësve që të diskutojnë, të bëjnë pyetje, të zhvillojnë ushtrime apo të marrin komente, sugjerime, detyra por edhe vlerësime nga mësimdhënësi. Raporte e studime të shumta dëshmojnë se shtrirja e internetit në Kosovë përfshin 89 për qind të popullsisë, duke përfshirë këtu në masë të madhe edhe zonat rurale. Pra, Kosova i ka pasur të gjitha parakushtet që në këtë kohë pandemie të organizojë mësimin online, nëse qeveria në ikje e Albin Kurtit do të duhej të ishte largpamëse e do të kishte bërë parapërgatitje e duhura”, shtoi ai.

Ai pati edhe kritika edhe për notimin e nxënësve, ku sipas tij qeveria në detyrë po i ikën testimit të nxënësve për të mbuluar dështimin e vet në organizimin e mësimit në kushte shtëpie gjatë pandemisë, e cila sipas tij, do të ketë kosto të madhe për cilësinë e shkollimit.