PDK refuzon ftesën e Hotit për dialog

PDK refuzon ftesën e Hotit për dialog

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kthyer përgjigje kryeministrit, Avdullah Hotit, në një letër të dërguar në lidhje me ftesën e tij që PDK të marrë pjesë në takimin e 4 shtatorit. Veseli e ka refuzuar kërkesen e Hotit që partia opozitare të përfshihet në dialog.

Në letër, Veseli, ka vlerësuar dinamikën e dialogut dhe në të njëjtën kohë ka thënë se aty ku është Amerika duhet të jetë edhe Kosova, njofton Insajderi.

I pari i PDK-së, tha se partia e tij nuk do të marrë  pjesë në këtë takim të Uashingtonit, “por do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës”.

“Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thuhet ndër tjerash në letrën e Veselit. /Insajderi.com

Letra e plotë e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për kryeministrin Avdullah Hoti:

I nderuari z. Hoti,

Po ju shkruaj në përgjigje të letrës suaj rreth pjesëmarrjes së Partisë Demokratike të Kosovës në takimet e 4 shtatorit në Uashington dhe 7 shtatorit në Bruksel.

Takimi i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shërben dinamizimit të procesit të dialogut. Përfshirja e SHBA-ve në dialog është siguri dhe inkurajim për shtetin e Kosovës. Ky është një momentum i ri, i cili duhet të shfrytëzohet nga Republika e Kosovës. Mbetet qëndrimi im se aty ku është Amerika duhet të jetë edhe Kosova, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, janë partnerët më strategjikë të Republikës së Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Me respekt,

Kadri Veseli

Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës