PDK refuzon t’ia lëshojë zyrën Vetëvendosjes

PDK refuzon t’ia lëshojë zyrën Vetëvendosjes

Ka vazhduar debati ndërmjet Vetëvendosjes e PDK-së për zyrat në Kuvendin e Kosovës, por këtë herë në Komisionin për Legjislacion, aty ku Vetëvendosje kishte kërkuar interpretim për këtë çështje.

Vetëvendosje insiston se zyrat që aktualisht shfrytëzohen nga PDK-ja duhet t’i marrin ata. PDK-ja e quan të drejtë kërkesën e Vetëvendosjes për hapësirë më të madhe, por jo që t’ia marrin zyrën një grupi tjetër parlamentar.

Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkuar të respektohen praktikat e mëhershme .Por kjo kërkesë ka nxitë reagime se ky Komision nuk mund të zgjidh këtë problem.

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së  Hajdar Beqa, tha se në kohën kur PDK-ja e ka marrë zyrën nga LDK-ja, Kuvendi ka pasur hapësirë më të madhe. Ndërsa në vitin 2017 Kuvendi ka shumë më shumë hapësira dhe mund t’i ndahet një zyrë tjetër Vetëvendosjes.

Deputeti nga LDK-ja Arben Gashi tha se në këtë rast Komisioni ka mundësi vetëm t’i rekomandojë Kryesisë që të respektojë Rregulloren e Kuvendit. Ai tha madje se është shumë e qartë për Kryesinë dhe e ka për detyrë të respektojë rregulloren.