PDK: Sulmi ndaj zyrave tona s’ka lidhje me pakënaqësitë e brendshme

PDK: Sulmi ndaj zyrave tona s’ka lidhje me pakënaqësitë e brendshme

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj nuk ka informacione nëse cak i sulmit të mbrëmshëm me armë zjarri ka qenë Zyra e PDK-së në Skenderaj, pasi dëmtime nga plumbat më shumë ka pasur lokali ngjitur me zyrën e tyre.

Sot gjatë ditës është raportuar se zyrat e PDK-së në Skenderaj janë sulmuar me armë zjarri.

PDK në Skenderaj thekson se Policia e Kosovës ka dal në vendin e ngjarjes dhe është duke bërë hetime në lidhje me rastin.

“E informojmë opinionin publik se ne përjashtojmë çdo mundësi që ky sulm ka ardhur për shkak të pakënaqësive të brendshme, pasi dega e PDK-së në Skenderaj është unike dhe brenda strukturave të saj atmosfera është shumë pozitive, shumë bashkëpunuese dhe nuk ka pasur pakënaqësi në lidhje me proceset e fundit politike”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Ne e informojmë opinionin publik se dega e PDK-së në Skenderaj dhe elektorati i gjerë i saj kanë mirëpritur dhe përkrahin vendimet e fundit të PDK-së dhe Kryetarit Kadri Veseli. Policia e Kosovës ka dal në vendin e ngjarjes dhe është duke bërë hetime në lidhje me rastin. Ne besojmë dhe shpresojmë se ky rast do të ndriçohet shpejt”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.

Lajmin e për Insajderin e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës, në rajonin e Skenderajt, Fexherie Pllana.

Pllana ka thënë se është thyer një dritaret e zyrës së PDK-së dhe një dritare e një lokali afarist, përderisa dyshet se është përdorur edhe armë zjarri.

“Rreth orës 10:30 është raportuar rasti në Policinë e Kosovës, menjëherë janë dërguar ekipet dhe janë duke hetuar rastin. Nga ajo çfarë dihet deri më tani mund të thuhet është se një dritare e zyrës së PDK-së është thyer dhe një dritare e një lokali afarist”, ka thënë Pllana./Insajderi.com