PDK themelon degë edhe në Finlandë dhe Kanada

PDK themelon degë edhe në Finlandë dhe Kanada

Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon themelimin dhe zgjerimin e degëve të saj nëpër botë. Sot janë themeluar edhe dy degë në Finlandë dhe Kanada, njofton Insajderi.

Drejtori i Departamentit për Diasporë në PDK, Elmi Reçica, ka mbajtur takime virtuale me anëtarët e PDK-së në Finlandë dhe Kanada, me ç’rast janë dakorduar për konsituimin e Këshillave Nismëtarë për themelimin e degëve në Helsinki dhe Toronto.

“Në kuadër të rikthimit të aktiviteteve politike të Partisë Demokratike të Kosovës në diasporë, në koordinim me Departamentin për Çështje të Diasporës, sot në Helsinki dhe Toronto, u konsoliduan Këshillat Nismëtar për themelimin e degës së PDK-së në Finlandë. Duke e parë manipulimin me opinionin e diasporës për të vërtetën e Kosovës, jemi obliguar që të riorganizohemi për të paraqitur të vërtetën e Kosovës ashtu siç është.”, ka thënë Reçica.

Drejtues të degës në Finlandë u caktuan veprimtarët e shquar, Miftar Miftari, Bashkim Thaçi dhe Dren Koci me qendër në Helsinki. Ndërsa në Kanada, Këshillin Nismëtar do të udhëheqë Ridvan Pacolli dhe Ylla Ibra me qendër në Toronto.

“Partia Demokratike e Kosovës në kuadër të platformës dhe vizionit politik ka marrë vendime për Diasporën, me kryeministrin në ardhje, Enver Hoxhaj, do të realizojmë zotimet për diasporën, duke përfshirë vende në listën e PDK-së për deputetë, rikthimin e ministrisë së Diasporës, ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës si dhe duke e bërë pjesë aktive dhe konkrete të zhvillimit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Falënderim dhe respekt i veçantë për të gjithë pjesëmarrësit në këto takime nismëtare për themelimin e degëve, si dhe për kontributin e madh në të gjitha fazat dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi, për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.”, ka përfunduar Reçica./Insajderi.com