Këshilltari i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, Faton Peci, ka deklaruar se e Para e Shtetit në detyrë, nuk punëson shërbyes civil në Zyrën e Presidentit, njofton Insajderi.
Sipas tij, të emëruarit e apostrofuar nga disa media nuk janë shërbyes civilë të punësuar në Zyrën e Presidentit, por janë të emëruar politikë në Kabinetin e u.d. Presidentes.
Kështu është shprehur ai me anë të një postimi në Facebook, ku thotë se Ligji për Presidentin specifikon dallimin midis emërimeve politike dhe rekrutimet e shërbyesëve civil.
“Ligji për Presidentin specifikon qartë dallimin mes emërimeve politike të cilat bëhen në Kabinetin e Presidentit dhe rekrutimet e shërbyeseve civil të cilat bëhen përmes shpalljeve publike nga administrata e Presidencës në Zyrën e Presidentit”, ka shkruar ai.
“Kjo ndarje e stafit politik dhe shërbyesve civil është e qartë në të gjitha institucionet brenda e jashtë shtetit. Mandati i të emëruarve politik në Kabinetin e Presidentit pushon me përfundimin e mandatit të Presidentit. U.d. Presidentja nuk e ka punësuar asnjë zyrtar në ZPRK të cilit do t’i vazhdonte kontrata pas përfundimit të mandatit të saj. Kurse, të emëruarit politik (siç janë këshilltarët) janë në diskrecion të plotë dhe përzgjedhje e Presidentit, jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend tjetër. u.d. Presidentja qysh në fillim të mandatit ka nxjerrë Vendim për suspendimin e të gjitha procedurave për punësime/rekrutimit të stafit civil në Presidencë, për shkak të dyshimeve për parregullsi dhe ai Vendim ende mbetet në fuqi”.
“Për më shumë, u.d. Presidentja as për afër nuk ka plotësuar numrin e të emëruarve në Kabinetin e saj krahasuar me kabinetet e ish-Presidentëve, edhe pse vëllimi i punëve është shumëfish më i lartë. Që nga dita e parë ka treguar zero tolerancë ndaj paligjshmërive dhe duke kursyer dhjetëra fish më shumë buxhetin e institucionit dhe paratë e taksapaguesëve të Republikës së Kosovës”, thotë tutje Peci. /Insajderi.com