“Peer Gynti nga Kosova” do të shfaqet në 14 qendra të Kosovës

“Peer Gynti nga Kosova” do të shfaqet në 14 qendra të Kosovës

Drama e autorit Jeton Neziraj, në regji të Agon Myftarit, me aktorët: Tristan Halilaj, Donikë Ahmeti, Shpetim Selmani, Ernest Malazogu, do të shfaqet premierë këtë të mërkurë (24 maj), nga ora 20:00, në teatrin Oda në Prishtinë.

Pas Prishtinës, kjo shfaqje, që është prodhim i Qendrës Multimedia, do të shfaqet të premten (26 maj) edhe në Teatrin e Qytetit në Ferizaj si dhe do të ketë edhe dhjetra repriza të tjera në qendra të ndryshme të Kosovës, në Han të Elezit, në Kaçanik, Fushë Kosovë, Vushtrri, Pejë, Mitrovicë, Prizren etj.

Skenografinë e shfaqjes e ka punuar Nicola Minssen, kompozitor: Gabriele Marangoni, kostimet: Yllka Brada kurse dramaturg i shfaqjes është Stefan Schletter.

Peer Gynti nga Kosova është rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë.

Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eskperiencat e shumë desperadove të rinjë të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre. Shpesh, në atdheun e tyre të ri, të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar dhe larg nga shtëpia, me mungesë  perspektive dhe të mospërfshirë në shoqëri, atyre ëndërra u bëhet një makth i vërtetë.

Në dëshirën e tyre për t’u pranuar ata shpesh bien viktima të shokëve të këqinjë, të cilët ua ofrojnë “sigurinë e munguar”.

Peer, personazhi kryesor i kësaj drame, e gjenë vehten të respektuar në një grup shqiptarësh të cilët ia tregojnë atij shkathtësitë kriminale dhe i garantojnë siguri. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai shpejt bie në burg. Gjatë kësaj periudhe në burg, gradualisht fillon procesi i radikalizimit. Religjioni i jep atij ‘kurajo’, ‘kuptim në jetë’ dhe ia ‘forcon vetëbesimin’.

Këtu drama merret me një problem aktual në shoqëritë tona – radikalizimin religjioz të të rinjëve në burgje. Shumë nga këta të ashtuquajtur ‘luftëtarë të shenjtë’ nga Evropa, të cilët luftojnë në Siri, janë radikalizuar në burgje.

Por pavarësisht seriozitetit të temës, shfaqja asnjëherë nuk bëhet patetike apo didaktike. Në fund, publiku e lë shfaqjen jo vetëm i merakosur dhe kuptimplotë, por edhe I argëtuar në mënyrë perkfekte.

“Publiku në shfaqje e ndjenë që ky Peer Gynt modern jo vetëm se dëshiron të tregoj një rrëfim autentik, por edhe të tregoj një rrëfim të vërtetë, si shembull për krejt shpresat për liri, për lumturinë dhe prosperitetin në Evopën e tanishme. Dhe për dëshpërimin.” [Frankfurter Allgemeine Zeitung]