Peja mposht Trepçën

Peja mposht Trepçën

Peja ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 74:64 (23:12, 12:15, 15:20, 24:17), në kuadër të javës së 12-të të Prince Caffe Superligës së Kosovës në basketboll, njofton Insajderi.

Pejanët e nisën ndeshjen shumë më mirë, duke fituar çerekun e parë me 11 pikë diferencë, ku rezultati pas 10-të minutash lojë ishte 23:12 për vendasit.

Lojë më e baraspeshuar u zhvillua në periudhën e dytë, ku mysafirët për një nuancë ishin më të mirë, duke fituar në fund çerekun e dytë me tri pikë epërsi, 12:15, derisa skuadrat shkuan në pushim shtatë pikë diferencë për vendasit. Me shifrat 34:27 u mbyll pjesa e parë.

Mitrovicasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, që e fituan 15:20, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte ngushtuar në dy pikë epërsi për nikoqirët 49:47. Kjo e bëri ndeshjen shumë interesante, megjithatë, Peja në 10 minutat e fundit, u tregua më e vëmendshme, duke fituar 24:17, për të triumfuar në fund me rezultat 74:64.

Te Peja u dallua Marko Peroviq me 26 pikë e 10 kërcime, kurse te Trepça u dalluan Tramaine Isabell me 19 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime dhe Devin Haygood me 15 pikë e 11 kërcime.

Peja ka tetë fitore dhe katër humbje, kurse Trepça dy fitore dhe dhjetë humbje. /Insajderi.com