Penza mposht Prishtinën, kalon në finalen e “Play-Off”-it

Penza mposht Prishtinën, kalon në finalen e “Play-Off”-it

Vashat nga Peja, kanë mposhtur edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale Prishtinën, për të kaluar në finale të “Play-Off”-it, ku në finale i pret Bashkimi, njofton Insajderi.

Takimin e zhvilluar në “Karagaçi”, Penza e ka fituar me shifrat minimale, 87:86, ku pikët e basketbollistes amerikane, Gabrielle Cooper, ishin vendimtare në triumfin e tyre. Edhe takimin e parë të zhvilluar në Prishtinë, Penza e kishte fituar, kështu me seri 2:0, kaluan në finale.

Valbona Bytyqi me 34 pikë të shënuara ishte më e dalluara te Penza derisa më lojë të mirë u veçuan edhe Cooper (18) e Arbnore Përquku (12).

Në anën tjetër, te Prishtina më efikasja ishte Enisa Kamerolli me 25 pikë të shënuara, e përcjellë nga Enxhi Xhanaj (22), Alexis Tolefree (16) e Era Shatri (15), por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen dhe eliminimin nga garat e “Play-Off”-it.

Në finalen e këtij edicioni në Superligën e Femrave në basketboll, Penza do të përballet me Bashkimin, ndërsa prizrenaset kanë përparësinë e terrenit vendas, pasi sezonin e rregullt të garave e kanë mbyllur në vendin e parë. /Insajderi.com