Për 15 vjet, 85 persona të vdekur si pasojë e drogës

Për 15 vjet, 85 persona të vdekur si pasojë e drogës

Në një debat publik i organizuar sot lidhur me drogat u tha se përdorimi i tyre vazhdon të jetë shqetësues.

Organizuar nga OJQ Labyrinth, në kuadër të rrjetit rajonal Arysen, në këtë debat u prezantuan dy draft dokumente.

“Dokumenti i parë përfshinë një raport të kornizës ligjore dhe gjendjes aktuale për mbrojtjen e të rinjve në rrezik nga përjashtimi social. Dokumenti i dytë paraqiti një udhëzues për shërbyesit social për rreziqet e mundshme, standarded dhe udhëzimet e trajtimit të lëndëve që kanë të bëjnë me fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në familjet me histori konflikti me ligiin dhe/ose varësi droge”, thuhet në njoftimin për media, transmeton televizioni publik.

Kjo organizatë thotë se nga viti 2002 deri në vitin 2017 në data bazën e tyre kemi 1205 klientë të regjistruar, nga këta klientë, 85 (7.05%) e tyre janë të regjistruar si të vdekur.

“Prej 85 klientëve të regjistruar si të vdekur, 77 (90.58%) janë meshkuj dhe 8 (9.42%) janë femra. Të gjithë klientët e regjistruar si të vdekur ishin ‘polydrug users’, përpos heroinës që ishte drogë primare e të gjithëve ata po ashtu kishin përdorur: Metadon, THC, Trodon, Kokainë, Benzodiazepinë, Ekstazi, Heroinë dhe Kokainë bashk (Koktel), Amfetaminë, Krak, Antiparkinson, LSD, Buprenorfinë, Ketaminë dhe Morfinë. 65.88% ose 56 klientë të regjistruar si të vdekur substancën e parë kanë pasur THC, 24 ose 28.23% me heroinë dhe 5 ose 5.88% kishin filluar me kokainë”, thuhet tutje.

Jetëgjatësia e popullatës të Kosovës llogaritet të jetë rreth 76.7 vite, kurse jetëgjatësia e klientëve të vdekur ose 0.0046% e tërë popullatës të Kosovës është 33.57.

Ndër arsyet e vdekjeve ishin:

  • Mbidoza fatale (70 klientë ose 82.95%);
  • Vetëvrasje (7 klientë ose 8.23%);
  • Probleme shëndetësore (5 klientë ose 5.88%) dhe;
  • Të vrarë (3 ose 3.52%).

Koha mesatare nga fillimi i përdorimit të substancës të parë deri tek fillimi i përdorimit të heroinës është 2.16 vjet.

Shqetësimi kryesor sipas kësaj organizate është që aktualisht është prezent trendi i përdorimit të njëkohshëm i shumë llojeve të drogave, e cila është shumë e rrezikshme dhe mund të çojë deri në overdozë fatale.