Për çka u akuzuan dhe përse dolën të pafajshëm Sami Lushtaku, Arben Gjuka dhe pesë personat e tjerë

Për çka u akuzuan dhe përse dolën të pafajshëm Sami Lushtaku, Arben Gjuka dhe pesë personat e tjerë

Hetimet që kishin filluar më 5 tetor të vitit 2012 ndaj Sami Lushtakut, Arben Gjukës dhe pesë personave të tjerë, gjatë ditës së sotme është dhënë fjala përfundimtare e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Të gjithë janë shpallur të pafajshëm me arsyetimin se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer vepër penale.

I gjithë dyshimi kishte filluar për tenderin për sigurimin fizik të objekteve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK-ut). Të akuzuarit dyshoheshin për vepra të ndryshme penale, shkruan Insajderi.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ishte i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzoheshin për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Sipas prokurorisë, nga sjellja e paligjshme e shtatë personave kishte rezultuar me dhënie të kontratës për kompaninë e sigurimit “Security Code”, e cila kishte ofruar si pjesë konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u.

Por për të gjitha këto pretendime nuk u vërtetuan në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Aty, Sami Lushtaku, Arben Gjuka, Hysni Hoxha, Azem Duraku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku dhe Driton Pruthi u shpallën të pafajshëm.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Beqir Kalludra, nuk është provuar se të akuzuari kanë kryer veprat penale më të cilat ngarkohen.

Kurse, ndaj Esat Tahirit dhe Milazim Lushtakut, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim refuzues për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, me arsyetimin se është arritur parashkrimi absolut.

Për të akuzuarin Milazim Lushtaku, sipas gjykatësit Kalludra, nuk ka pasur mundësi të veprimit ndryshe, duke thëne se i njëjti nuk është i përfshirë në asnjë pjesë sa i përket kësaj vepre penale, andaj është vendosur njëjtë sikurse për Esat Tahirin.

“Për atë arsye kemi shku njëjtë, nëse kish pas pasoja,  atëherë do të shkonim lirim. Nuk ka asnjë veprim per veprën e falsifikimit”, ka thënë gjykatësi Kalludra

Të njëjtit u liruan sa i përket veprës penale të mashtrimit, kurse Tahiri edhe për shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sa i përket veprës penale të mashtrimit për të cilën akuzoheshin Tahiri e Lushtaku, Kalludra tha se premtimi për punëtorë ka rezultuar me nënshkrim të kontratave.

“Nga deklaratat e tyre nuk del se e kanë nënshkruar në mënyrë të dhunshme”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Ne arsyetimin e aktgjykimit, për të akuzuarin Pruthi, gjykatësi deklaroi se ka vepruar konform dispozitave ligjore dhe gjykata nuk ka gjetur shkelje.

Sipas gjykatësit Kalludra, dosja ka qenë e kompletuar dhe një gjë të tillë e kanë dëshmuar të gjithë dëshmitarët.

Tutje, ai ka thënë se sa u përket licencave në kohën kur është shpallur tenderi ka qenë ligji i vjetër.

“Dhe sa ka ekzistuar një licencë, të dy e kanë pasur këtë licencë dhe u ka vazhduar”, deklaroi gjykatësi.

Sipas tij, i akuzuari Pruthi ka vepruar sipas dispozitave ligjore, ka hasur në një situatë që nuk e ka pasur të qartë dhe me të drejtë është kërkuar mendimi i KRPP-së dhe ka respektuar atë vendim.

Gjykatësi Kalludra, u deklarua edhe për dëmin në këtë rast, që sipas tij është diskutuar edhe në media.

“Është fol edhe në media për dëmin, nëse e keni aktakuzën para vete faqja 5 pika 5 , shuma 6 milion e 182 mijë e njëjta faqe pika 3 është 100 mijë. Te pika tjetër është 50.000 mijë. Ju lutem shumë, kjo nuk duhet me ndodh. 6 milion është vlera e tenderit, dëmi duhet te ishte diferenca mes kompanive”, tha ai.

Sipas tij, një aktakuzë e tillë nuk mund të qëndroj.

“Nuk mund të qëndroj një aktakuzë e tillë diku 100 mijë diku 6 milion”, tha gjykatësi.

Sa i përket të akuzuarit Arben Gjukaj, ai tha se autorizimi i këshilltarit të tij për nënshkrimin e kontratës nuk është veprim i ligjshëm dhe nuk kanë gjetur ndonjë mbulesë që këshilltari ka të drejtë të nënshkruar.

Por, ai tha se e kanë liruar sepse nënshkrimi ka qenë i ligjshëm dhe kontrata është dashur të nënshkruhet.

“Veprimi juaj nuk është i ligjshëm, por nuk është inkriminues”, ka deklaruar Kalludra.

Kurse, për të akuzuarin Hysni Hoxha, gjykatësi tha se është akuzuar për shkak të kthimit të çështjes në rivlerësim dhe sipas tij trupi gjykues ka vlerësuar vendimin e OSHP-së si të drejtë e ligjshëm.

Për të akuzuarin  Duraku, ai tha se të gjithë janë të informuar se mendimi i ekspertit nuk është i detyrueshëm.

“Atë mendim nuk e ka shqyrtu veç Hysni Hoxha, qysh o e mundur që veç te Hysni Hoxha ka ndikuar e jo te dy të tjerët. Si është e mundur që eksperti të ketë aftësi që gjithë panelin ta nxit”, tha ai.

Kurse, sa i përket Sami Lushtakut e edhe Esat Tahirit që akuzoheshin për shtytje në keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, kryetari i trupit gjykues deklaroi se dëshmia e të ndjerit Rexhep Rexhepi është minore.

“Dëshmia e Rexhep Rexhepit o minore, nuk mundesh me një fjali ” jemi taku ka thënë respekto ligjin”, nuk mund te krijohet bindja e besimi”, tha gjykatësi.

Ndërkaq, sa i përket takimit të Sami Lushtakut me Arben Gjukaj, gjykatësi deklaroi se takimi në zyrën e KEK-ut ka ndodhur pasi ka përfunduar procedura.

Ky proces gjyqësor më herët ishte duke u gjykuar nga EULEX-i, por Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave./Insjaderi.com