Përçarja Thaçi-Haradinaj për Ushtrinë

Përçarja Thaçi-Haradinaj për Ushtrinë

Votimi i tri Projektligjeve me të cilat FSK-së do të transformohet në Ushtri, po del të jetë mollë sherri ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi.

Ky vendim është miratuar në mbledhjen e sotme urgjente të qeverisë që u mbajt prej orës 11:00.

Pak minuta para se të votohej në qeveri presidenti në një konferencë për media, ishte pyetur nga gazetarët nëse ka pasur konsultime me Haradinajn për këtë temë.

Thaçi kishte deklaruar se vendimet e tilla  nuk merren kokë më vete, shkruan Insajderi.com

“Ne kemi filluar tash e një kohë një proces të vetëdijesimit dhe kemi arritur në një fazë të rëndësishme të koordinimit. FAK duhet të jenë të mirëpritura dhe të jetë një proces i hapur, i sigurt për Partneritet për Paqe dhe NATO e jo një veprim kokë në vete për ta izoluar dhe për ta lënduar rëndë misionin multietnik të qeverisë. Një veprim i njëanshëm i çon në izolim, një veprim i koordinuar i hap rrugë të sigurt zhvillimit e forcimit”, ka thënë Thaçi.

Ai ka deklaruar se vendimi për formimin e Ushtrisë duhet të jetë në koordinim me aleatët ndërkombtar.

“Sot është një ditë e rëndësishme historike. Parlamenti Europian e voton liberalizimin e vizave për Kosovën… Mendoj se procedimi i kësaj çështjeje sot është moment i gabuar sepse nuk kemi nevojë që këtë mëngjes ta dërgojmë këtë mesazh tek aleatët”, tha Thaçi.

Për votimin e Projektligjeve të Ushtrisë, ka folur edhe Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë.

Ai ka thënë se ky vendim është i Kosovës, dhe në pajtim me Kushtetutën.

“Disa vendime janë tonat. Janë në kuadër të kompetencave tona, por do të kemi konsultime me të gjithë. Po veprojmë sipas Kushtetutës. Kemi vazhduar konsultat me faktorin ndërkombëtar, por vendimi është i yni. Është dinamika kohore që e ka sjellur tani këtë projektligj. Urime për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, tash vendimi është në duart e Kuvendit dhe Presidentit.

“Parlamenti ka forcën e vetë, pastaj presidenti nënshkrimi. Ne jemi bashkë me NATO’n e bashkësinë ndërkombëtare. Vendimi është i Kosovës, është kompetencvë e Qeverisë. Ka pas konsulta deri më sot, e do të vazhdojnë tutje. Kushtetuta e ka paraparë ashtu. I ftojmë të gjitha vendet e NATO’s që ta përshëndesin këtë vendim. Ne jemi të gatshëm jo vetëm të absorbojmë siguri, por edhe të japim. Moment ideal kurrë nuk ka. Cdo ditë është ka një temë. 20 vjet kohë ju kemi dhënë për me ardh deri te kjo ditë. E sot ndodhi. Është kushtetuese, nuk i mungon asgjë”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe kryeministrit qysh gjatë fushatës kishte premtuar krijimin e Ushtrisë.

Për këtë ai kishte thënë se nëse jo me ndryshime kushtetuese, do të bëhet vetëm nëpërmjet Ligjit. /Insajderi.com