Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe pranon se i është bërë dhuratë mbi 17 mijë kg plumb të rafinuar nga ‘Trepça’ në veri

Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe pranon se i është bërë dhuratë mbi 17 mijë kg plumb të rafinuar nga ‘Trepça’ në veri

Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse në Veri të Mitrovicës, Milija Arsoviq, ka deklaruar se nga ndërmarrja “Trepça” në veri, ka pranuar mbi 17 kilogramë plumb të rafinuar si ndihmë ndaj Kishës.

Një deklarim të tillë, Arsoviq e ka bërë të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në gjykimin ku për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen drejtori i Ndërmarrjes “Trepça” në veri, Jovan Dimkiq dhe zëvendësdrejtori i kësaj ndërmarrjeje Dragan Millenkoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i rastit Ismet Ujkani, Arsoviq është shprehur se paraprakisht ka bërë kërkesë në kombinatin “Trepça”, ku ka kërkuar një sasi të plumbit si donacion dhe sipas tij, e njëjta është miratuar dhe Kisha Ortodokse sipas tij, e ka pranuar plumbin e rafinuar në sasi prej 17 tonëve e disa kilogramë.

Pasi që nga ana e prokurorit Ujkani, iu dhanë në shikim kontrata  e përpiluar më 16 maj 2012 dhe ajo më 25 tetor 2012,  dëshmitari Milija Arsoviq u përgjigj se në ato kontrata është nënshkrimi i tij.

Më pas, ai sqaroi se pas pranimit të plumbit nga ana e “Trepçës”, atë kanë synuar ta dërgojnë në Shabac për përpunim të mëtutjeshëm.

“Pas që kemi pranuar plumbin, kemi shkuar në shpedicion dhe kemi pyetur se si mund të kalohet plumbi andej, na kanë thënë se duhet të shkojmë në doganë ngase ky mall nuk është në listat e zeza. Kam angazhuar një shofer të ndërmarrjes “Dynamic trade” me qëllim që ky plumb të shkojë në Shabac për përpunim të mëtutjeshëm dhe që të kthehet në Kosovë në formë të përpunuar si rrollne që do të shërbente për mbulesat e kulmeve të kishave. Kur kemi shkuar në doganë aty është krijuar një problematikë për shkak të Trepçës në veri dhe në jug  dhe aty e kanë konfiskuar plumbin. Në fund të të gjithave ne konsiderojmë vetën se jemi dëmtuar”, është shprehur Arsoviq.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Dimkiq, avokati Ljubomir Pantoviq, se pas dorëzimit të plumbit a ka pasur tutje ndërmarrja “Trepça” ndonjë përgjegjësi lidhur me atë sasi të plumbit, dëshmitari Milija Arsoviq u përgjigj se nuk ka pasur.

Përveç tij, paraprakisht ka vazhduar dëgjimi  i zyrtarit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) Fatos Meqa, në cilësinë e dëshmitarit.

Meqa, në vazhdim të dhënies së dëshmisë së tij, gjatë marrjes në pyetje nga i akuzuari Jovan Dimkiq,  ka bërë të ditur se kontratat e lidhura 16 maj 2012 dhe ajo më 25 tetor 2012, sipas tij janë arritur pa miratim apo vendim nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, e po ashtu pasi nuk ka pasur miratim për transaksionin e tillë, të njëjtat siç tha ai, për AKP-në, konsiderohen  të kundërligjshme dhe se kjo ka qenë arsyeja e ndaljes së plumbit në Doganë.

Lidhur me këtë, dëshmitari Fatos Meqa më pas është shprehur se AKP-ja asnjëherë nuk ka dhënë pëlqime për dhurata as gjatë vitit 2012, e as për vitet e tjera.

Gjatë marrjes në pyetje nga kryetari i trupit gjykues Burim Ademi,  Meqa ka thënë se nga ekspertët e metalurgjisë së plumbit, është njoftuar se plumbi i ndaluar ka qenë i prodhuar para vitit 1999 dhe është konsideruar plumb i vjetër.

Meqa në fund tha se me hyrjen e Ligjit të ri për Trepçën, AKP-së i janë ndërprerë të gjitha kompetencat në raport me ketë kombinat dhe se tani vendimmarrës është bordi mbikëqyrës i Trepçës.

Përveç dëshmitarëve, Milija Arsoviq dhe Fatos Meqa, në seancën e së mërkurës në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar edhe Ranko Djokiq, zyrtar i mëparshëm në ndërmarrjen “Trepça” në veri dhe tani anëtar i bordit drejtues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Djokiq,  gjatë dhënies së dëshmisë, ka treguar se në ndërmarrjen “Trepça” në veri të Mitrovicës, sa ka punuar në pozitën e zyrtarit ndihmës i menaxherit në sektorin e fushës ligjore dhe sa ka qenë i ngarkuar me punë të bashkëpunimit me AKP-në,  është lajmëruar nga Fatos Meqa, se njëri prej përfaqësuesve të ndërmarrjes “Trepça” në veri duhet të shkojë në Polici të japë deklaratë rreth plumbit të dhuruar për kishën, ku sipas tij nga kjo ndërmarrje është dërguar ai si përfaqësues me ç’rast tha se qëndron prapa asaj deklarate të dhënë.

Lidhur me këtë sasi të plumbit të dhuruar, ai tha se ka qenë në dijeni për këtë dhe se sipas tij, nuk ka pasur asgjë të kundërligjshme në ato kontrata për dhuratë.

Dëshmitari Ranko Djokiq, më pas përmendi shkresën e UNMIKU-ut e vitit 2006, përmes së cilës “Trepçës” në veri i lejohej që Kishës Ortodokse t’i jepej donacion deri në 10 tonë plumb të rafinuar si donacion.

Në ndërlidhje me këtë, i pyetur nga kryetari i trupit gjykues Burim Ademi, Djokiq tha se sipas tij,  në këtë vendim ceket se i njëjti është në fuqi deri më marrjen e një vendimi tjetër.

I pyetur nga gjykatës Ademi, se Ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara, a e ka shfuqizuar këtë vendim të UNMIKU-it, ai tha se vendimi i UNMIKU-ut nuk i referohet donacioneve, por pohoi se i referohet pasurisë së Trepçës.

Pas përfundimit të dhënies së dëshmisë së tij, kryetari i trupit gjykues Burim Ademi, konstatoi se seanca e shqyrtimit gjyqësor ka përfunduar dhe se seancat e radhës në këtë çështje penale janë caktuar të mbahen më 4 dhe 8 prill 2019.

Ndërkaq, gjatë kësaj seance ku përkthimi ka qenë i detyruar, me kërkesë të kryetarit të trupit gjykues, Burim Ademi, dy herë është kërkuar që të ndërrohen përkthyesit gjyqësor, në formë të pakënaqësisë me nivelin e përkthimit nga gjuha serbe në atë shqipe dhe anasjelltas.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 16 shkurt 2016, Jovan Dimkiq dhe Dragan Millenkoviq, po akuzohen se në cilësinë e drejtorit dhe zëvendës drejtorit të ndërmarrjes “Trepça’ në Veri të Mitrovicës,  duke ushtruar detyrën e tyre zyrtare, kanë dëmtuar kombinatin “Trepça –Veri”, duke i dhuruar Kishës Serbe 17.428 kg plumb të rafinuar në vlerë prej 25.752.44 euro.

Sipas aktit akuzues, këtë e kanë bërë duke lidhur kontrata  me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Serbe, Milija Arsoviq, përmes firmës “Dynamic Tarde”, të cilën e përfaqësonte Nenad Vuqintijeviq, e që thuhet se është paraparë ta bartin dhe ta përpunojnë në Shabac të Republikës së Serbisë, ku është përpunuar plumbi e pastaj është ndaluar nga Njësia e Doganës në Mitrovicë.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, pika 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.