Përfaqësuesja rrezikon të mos i luajë fare kualifikueset e Kampionatit Botëror

Tre muaj para fillimit të ciklit kualifikues, suksesi historik i përfaqësuesës së Kosovës rrezikon që të shndërrohet në "dështim historik" të shtetit të Kosovës. Kosova mund të mos i luajë fare kualifikueset për Kampionatin Botëror, nëse shteti nuk intervenon në plotësimin e kushteve të kërkuara nga FIBA për palestrën e sporteve në Prishtinë.

Përfaqësuesja rrezikon të mos i luajë fare kualifikueset e Kampionatit Botëror

Kur përfaqësuesja e Kosovës në basketboll arriti plasmanin në kualifikimet evropiane për Kampionatin Botëror “Kina 2018”, liderët politik e shtetëror u krenuan për këtë arritje të cilën e cilësuan historike për vendin.

Por, tre muaj para fillimit të ciklit kualifikues, suksesi historik i përfaqësuesës së Kosovës rrezikon që të shndërrohet në “dështim historik” të shtetit të Kosovës. Përfaqësuesja e basketbollit mund të mos i luajë fare kualifikueset për Kampionatin Botëror, nëse shteti nuk intervenon në plotësimin e kushteve të kërkuara nga FIBA për palestrën e sporteve në Prishtinë.

Kjo për arsye se kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, deklaroi sot për Insajderin se federata nuk do t’i luajë ndeshjet jashtë territorit të Kosovës, në qoftë se nuk plotësohen kushtet e FIBA-s në palestrën e sporteve në Prishtinë.

Mundësia për t’i zhvilluar ndeshjet jashtë vendit është hedhur poshtë nga Belegu.

“Kjo për neve është e papranueshme. Së pari me heq dorë prej shikuesve; e dyta me na u rritë enrom shpenzimet dhe pastaj duhet të luajmë në shkup, ku nuk dihet a na lejohet dhe sa kushton”, ka thënë Belegu, teksa është shprehur se federata nuk ka asgjë në dorë sa i përket intervenimit në palestër.

FBK të shtunën mori shkresë nga FIBA, ku i bëhej e qartë se nëse palestra e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk e arrin kapacitetin e tre mijë ulëseve, atëherë ndeshjet për kualifikimet evropiane të Kupës së Botës “Kina 2019”, përfaqësuesja jonë nuk do të mund t’i luaj në kryeqytet.

FIBA po ashtu e ka paralajmëruar FBK-së se më 20 dhe 21 shtator do të dërgoj Lubomir Kotleban, këshilltar i Sekretarit Gjeneral të FIBA-s, për të inspektuar palestrën në Prishtinë.

Kryetari i FBK-së shpreson se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të intervenojë në palestrën e vogël në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. Erolld Belegu deklaron se i ka informuar zyrtarët e MKRS-së për nevojat me të cilat ballafaqohet palestra.

“Për opinion kjo është një temë e re, por për ministrinë dhe për federatën është duke u zhvilluar prej disa muajsh. Ne i kemi informuar nonstop [ministrinë v.j]. Neve, diku në muajin maj, FIBA na ka kthyer përgjigjen se ajo palestër nuk do të jetë e pranueshme për kualifikime për Kampionat Botëror; ne atëherë e kemi lajmëruar ministrinë dhe ende shpresojmë që ata të intervenojnë”, deklaroi Belegu.

Para vizitës së Lubomir Kotleban në Prishtinë, Belegu shprehet se zyrtari i FIBA-s po vjen me një qëllim: për të parë gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve rreth interevinimit në palestër.

“Unë realisht mendoj se ata [zyrtarët e FIBA-s v.j] po vijnë me e pa gatishmërinë e shtetit se a jemi të gatshëm me e rregullu këtë palestër, apo të na mundësojnë që t’i zhvillojmë ndeshjet diku jashtë Kosovës”, ka thënë Belegu, në një prononcim për Insajderin.

Që prej letrës së fundit të FIBA-s drejtuar FBK-së, ku u paralajmërua ardhja e zyrtarit të saj për ta inspektuar palestrën), kryetari Belegu shprehet se nuk është kontaktuar nga zyrtarët e ministrisë. Thotë se i kanë thënë disa herë se janë duke e konsideruar ndërhyrjen në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

“Nuk është asgjë në dorën tonë, ata vazhdimisht thonë që janë duke e konsideruar. Nuk e di, sot nuk më ka kontaktuar askush”, ka thënë Belegu.

Drejtori i Departamenti të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj ka thënë se mund të rregullohet në kohë palestra në Prishtinë. Por, ka paralajmëruar se konstituimi me vonesë i Kuvendit të Kosovës mund t’i kushtojë shtrenjtë ministrisë.

“Në muajin qershor ka ardhur një kërkesë nga FIBA ku është kërkuar që palestra të ketë diku afër tre mijë shikues. Kemi dërguar disa arkitekt për të realizuar projektin, dhe në momentin që e kemi edhe projektin edhe sigurimin e buxhetit, atëherë jemi në pritje të konstituimit të Kuvendit për t’i realizuar këto ndryshime buxhetore”, ka deklaruar Alaj.

Kryetari i FBK-së ka treguar kushtet e FIBA-s për rregullimin e palestrës në Prishtinë.

“Rregullimi i zhveshtores dhe rregullimi i parketit është kryer dhe janë në kushte të pranueshme. Kusht tjetër është shtimi i kapacitetit të ulesëve për gati 1 mijë ulëse. Besoj që kur të vijnë ata do të evidentojnë që nuk ka edhe ndriçim adekuat”, ka sqaruar kryetari Belegu.

Kosova mësoi të enjten kundërshtarët për kualifikimet evropiane të Kampionatit Botëror “Kina 2019”. Kosova ka hyrë në Grupin C, aty ku janë edhe Polonia, Lituania, Hungaria. /Insajderi.com