Përfundon greva e minatorëve të Trepçës

Përfundon greva e minatorëve të Trepçës

110 punëtorë të minierës së Trepçës, të cilët ishin në grevë për shkak të mos marrjes së pagave për muajin janar, i janë rikthyer punës, njofton Insajderi.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, tha për Insajderi-n se greva ka përfunduar pasi minatorët nuk kanë mundur të durojnë më shumë.

Por, sipas Osmanit, të njëjtëve u është premtuar që pagën më së largu do ta marrin gjatë javës së ardhshme.

“Greva ka përfunduar në orën 16:00. Ndërrimi i tretë ka filluar punën. Kjo pas premtimeve se pagat do t’u dalin deri javën e ardhshme ose edhe më herët”, tha ai, ndërsa mohoi raportimet e disa mediave se pagat e premtuara do t’u dalin vetëm 50-70 për qind./Insajderi.com