Përfundon “karriera e bujshme diplomatike” e biznesmenit kosovar, shkarkohet nga Cakaj

Biznesmeni Kosovar, Valon Ademi më nuk është konsull nderi i Shqipërisë. Insajderi ka siguruar dokumente që e vërtetojnë se ai është hequr nga kjo pozitë. Por, i njëjti ende prezantohet si i tillë

Përfundon “karriera e bujshme diplomatike” e biznesmenit kosovar, shkarkohet nga Cakaj

Valon Ademi është një biznesmen kosovar, i biri i Imer Ademit që zyrtarisht e ka në pronësi kompaninë “Alko Impex”.

Kjo kompani njihet për tenderët që i merr në Kosovë e Shqipëri. Në shtetin shqiptar mediat kanë bërë publike një sërë shkeljesh në tenderë publikë me Bashkinë Tiranë, Elbasan, Dibër e të tjera si dhe akuza seka falsifikuar dokumentet dhe për një tender milionësh në Bashkinë Kavajë.

Në regjistrin shqiptar të bizneseve “ALKO-IMPEX General Construcion” për përfaqësues ligjor e ka edhe Valon Ademin.

Edhe në Kosovë kjo kompani nuk rri larg tenderëve.

Pas marrjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nën drejtim nga ana e Gent Cakajt nga Kosova, ky i fundit ka larguar nga këto privilegje disa biznesmenë kosovarë. Ka larguar edhe Valon Ademin.

Në njoftimin që Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i ka dërguar ambasadorit të këtij shteti në Prishtinë, që e posedon Insajderi, bëhet me dije se Valon Ademi më nuk është konsull nderi. Dokumenti është i fundit të korrikut të këtij viti.

Derisa babai i tij, Imeri është pronar i “Alko Impex”, Valon Imeri sipas regjistrit kosovar të bizneseve del se ka pronësi ose aksion edhe në firmat “Multimedia Group”, “2A Group”, “Hidroenergji Lepenc” dhe ëprfaqësues i firmës “2T SH.P.”, Dega në Kosovë.

Para Valon Ademit nga privilegjet e konsullittë nderi të shtetit shqiptar ikshte larguar edhe Rrahim Pacolli, kushëri i Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Kur Ministri shqiptar, Gent Cakaj e kishte marrë këtë vendim, po ashtu mori vendim për heqjen e targave diplomatike për automjetet e konsujve të nderit në Shqipëri dhe pajisjen e tyre me shenjat ovale.

“Ka ardhur koha të zhbëjmë një praktikë sa origjinale në absurditetin e vet aq edhe në mospërputhje me ligjet ekzistuese në Shqipëri dhe praktikat ndërkombëtare në përgjithësi. Jemi një vend në botë që kemi 48 Konsuj Nderi të veshur me privilegje diplomatike ngaqë operojnë me targa diplomatikë”, kishte deklaruar Cakaj.

Sipas Cakajt, bëhej fjalë për qytetarë shqiptarë, biznesmenë të njohur, afaristë të ndryshëm, pronarë mediash, analistë politik që janë të ngarkuar në Shqipëri si konsuj nderi nga vende të ndryshme të botës dhe qarkullojnë me privilegje të caktuara diplomatike në Shqipëri dhe jo vetëm njësoj si ambasadorët dhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri.

Sipas ministrit në detyrë ata janë pajisur me targa CD, hyjnë dhe dalin nga kufijtë e vendit jo si qytetarë të thjeshtë shqiptarë, madje as si shumica e zyrtarëve qeveritarë, por si përfaqësuesit më të lartë diplomatik ndërkombëtar.

“Ky privilegj special, krejt unikal në Evropë, mbase dhe më gjerë është i pajustifikueshëm prandaj duhet të marrë fund” kishte thënë shefi aktual i diplomacisë shqiptare./Insajderi