Përfundon protesta në Prishtinë, kërkohen edhe zgjedhje të reja

Përfundon protesta në Prishtinë, kërkohen edhe zgjedhje të reja

Protesta në Prishtinë ku si kërkesë kryesore ishte shkarkimi i Kryeprokurorit Lumezi ka përfunduar.

Shoqëria civile ne protestën e tretë me radhë kishte si kërkesë kryesore edhe Vetting në gjyqësor dhe pastrimin e listave të veteranëve.

Por nga qytetarët dhe organizatorët e kësaj proteste u kërkua edhe organizimi i zgjedhjeve të reja, shkruan Insajderi.

Njëri nga organizatorët, Imer Mushkolaj i bëri thirrje edhe opozitës që të marrë përgjegjësi për situatën aktuale në vend.

“Opozita duhet të marrë përgjegjësi, ne sot ju kërkojmë partive opozitare anëtarësisë së partive opozitare që ti bashkohen thirrjes tonë për protestë. Me kërkesën e vetme shpëtimin e vendit dhe nëse vazhdohet kështu me zgjedhje të reja”, ka thënë Mushkolaj.

Në fund është lexuar një deklaratë nga të gjithë protestuesit.

“Sot si kurrë më parë, është më se e qartë që politika po ndërhyn në gjyqësor. Keqpërdorimet nuk po adresohen dhe një sistem i tillë, dëshmitarë të të cilit jemi ne qytetarët, po e shkatërron të ardhmen tonë. Sot këtu protestojmë dhe kërkojmë që të respektohet sovraniteti i vendit tonë. Kërkojmë të ndërpriten pazaret me shtetësinë tonë, me ekzistencën tonë. Kërkojmë zgjedhje të reja”, thuhej në deklaratë. /Insajderi.com