Përfundon seanca: Jakup Krasniqi mbetet në paraburgim – deklarohet “i pafajshëm”, “shqiptar” dhe “çlirimtar”

Emocionalisht i goditur, me mllef dhe zërin që nganjëherë i dridhej, Jakup Krasniqi, është paraqitur para Gjykatës Speciale në seancë e parë në Hagë. Ai i ka përbuzur akuzat e ngritura ndaj tij, derisa ka theksuar se e luftoi Beogradin zyrtar e asnjëherë serbët si civilë. Ka thënë se po i bëhet e padrejtë, porse do ballafaqohet me këtë padrejtësi, "sepse njeriu është m i fortë se guri”.

Përfundon seanca: Jakup Krasniqi mbetet në paraburgim – deklarohet “i pafajshëm”, “shqiptar” dhe “çlirimtar”

Nervoz, i dëshpëruar dhe me bindjet e thella se po i bëhet padrejtësi e madhe, Jakup Krasniqi, është paraqitur në seancën e parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, para gjykatësit, ku ka deklaruar se është i pafajshëm për gjithçka akuzohet nga Gjykata Speciale, njofton Insajderi.

Krasniqi, të cilin në disa raste e ka tradhtuar zëri, derisa ka folur në seancë, deklaroi se po i bëhet “padrejtësi e madhe” dhe jo vetëm atij.

“Për mua është bërë një padrejtësi e madhe, por do ta mbaj këtë padrejtësi, sepse njeriu është më i fort se guri, thotë populli im. Atë që nuk e mbanë guri, e mbanë njeriu. Nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi as unë as populli im”.

Përkundër se gjendej para një gjykate që zyrtarisht është kosovare, Krasniqi ka pohuar se e di mirë se ku e kanë burimin akuzat kundrejt tij dhe shokëve të tij.

“Adresa e qartë e krejt kësaj maskaradë është në Beograd dhe politikave të saj, kudo qofshin ato”, pohoi ai.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet nga Specialja, pos tjerash, për vepra si burgosje, vrasje, tortura, trajtim mizor dhe zhdukje me forcë e personave, është gajasur me akuzat ndaj tij, derisa ka dëshmuar se gjatë gjithë jetës, ka bërë të kundërtën e këtyre për të cilat po akuzohet.

“Dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. E theksoj, kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë. Qëllimi im ka qenë lufta ndaj okupatorit. E ndjej vetën më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Unë jam intelektual. E kam luftuar politikisht Serbinë, por kurrë nuk e kam drejtuar gishtin ndaj popullsisë civile serbe”, theksoi Krasniqi në fjalimin e tij.

Ai ka deklaruar se e ka penguar fort edhe një gjë brenda aktakuzës kundër tij. Dallimet e shfaqura falsifikisht se kinse në Kosovë janë kryer krime ndaj njerëzve të caktuar vetëm se i kanë takuar një feje.

“Unë jam shqiptar, s’jam as katolik as myslimanë”, pohoi me mllef Krasniqi, derisa vazhdojë monologun e tij.

“Më lejoni t’i them disa çështje për aktakuzën. Aktakuza, për mua, shokët e mi, familjen time, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese, pasi ne një kohë të gjatë, në rrethana tepër të vështira, jetë a vdekje u vumë në shërbim të lirisë dhe të shtetndërtimit, të cilat i arritëm në bashkëveprim me SHBA, BE, NATO, OKB dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese, ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale janë këmbë e krye vetëm koka e saj në Beograd, vetëm mbështetësit e politikave të Beogradit. Besoj, dhe besoj shumë që këtë e di secili qytetarë i arsimuar që së paku është mbi 30 vjeçar e jeton në vendet e demokracive perëndimore”.

Në fund të seancë gjyqtari ka njoftuar se Krasniqi do të vazhdojë të mbetet në paraburgim, deri në një vendim të radhës./Insajderi.com