“Përgatitjet janë bërë” – paralajmërohet sulm në Paradën e Krenarisë

“Përgatitjet janë bërë” – paralajmërohet sulm në Paradën e Krenarisë

Një kërcënim me jetë për ata që do të dalin nesër në të ashtuquajturën “Parada e Krenarisë”, ka shkuar përmes mediave.

Një email që duket se është hapur enkas për të përçuar këtë porosi “against.homo”, ka shkruar një të ashtuquajtur paralajmërim – “Në emër të moralit, vriti të pamoralshmit”. Janë nënshkruar në fund si “qytetarë të revoltuar”.

“U bëjmë thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën këtij vendi, se me datën 10 Tetor 2017, për shkak të paradës së të degjeneruarve të shoqërisë, iu paralajmërojmë të gjithë qytetarëve të qëndrojnë larg këtij marshi, ose përndryshe do t’u përcjellë i njëjti fat sikur atyre se çfarë do të vije atë ditë! Përgatitjet janë bërë dhe njëherë e përgjithmonë do të shuhen këto ndyrësira të shoqërisë”, thuhet në këtë email që ka shkuar në adresë të mediave kosovare.

Policia e Kosovës i ka thënë Koha.net se ata ndërmarrin në “konsideratë gjithçka që mund të ndërlidhet me ndonjë situatë të caktuar dhe veçmas kur ka organizime ngjarjesh dhe manifestime të çfarëdo lloji”.

“ Vlerësuar rrethanat që karakterizojnë këtë manifestim, policia ka hartuar planin e saj operativ në të cilin ka bashkërenduar dhe ka inkorporuar të gjitha veprimet operative që do të ndërmerren me qëllim të monitorimit dhe sigurimit të mbarëvajtjes së kësaj ngjarjeje”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.